Pas gjetjes së armëve në shkollat e Ferizajt, Nagavci ka një lutje për prindërit

  • A.P /
  • 24 June 2022 - 21:09
Pas gjetjes së armëve në shkollat e Ferizajt, Nagavci ka një lutje për prindërit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka dalë me një reagim publik pas aksionit të Policisë së Kosovës në shkollat e Ferizajt, ku u gjet një sasi e konsiderueshme e armëve të ftohta dhe lëndëve narkotike. Ajo ka thënë se siguria e fëmijëve kërkon vëmendjen e të gjithëve dhe ka kërkuar nga prindërit që ta “mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta “

Siguria e fëmijëve tanë, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë brenda shkollës dhe rreth saj, është çështje që kërkon vëmendjen e secilit. Falënderoj Policinë e  Kosovës për aksionin e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka thënë se në Ministrinë e Arsimit po e trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojnë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kanë themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili sipas saj, do të përcjellë situatën e  sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale.

“Megjithatë, roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë. Por, menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve. Ne jemi duke punuar të bëjmë ndryshime strukturore në sistemi edukativ dhe arsimor, po fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Duke qenë e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e  ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta. Një raport më i afërt institucion dhe familje jam e bindur se do ta përmirësojë këtë gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë. Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”, ka shkruar ajo.

(Kosova Sot Online)