Ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi: Mbështesim Ballkanin e Hapur pa fusnota dhe në përputhje me parimet e BE-së

  • E.K /
  • 25 June 2022 - 15:06
Ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi: Mbështesim Ballkanin e Hapur pa fusnota dhe në përputhje me parimet e BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Ballkanin e Hapur me kusht që të gjitha vendet e rajonit të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe se ajo të jetë plotësisht e harmonizuar me parimet e Bashkimit Evropian (BE), tha ambasadorja amerikane në Mali i Zi, Judy Rising Reinke.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, e pyetur nëse mbështetja amerikane për atë iniciativë është e pakushtëzuar apo ka kushte, ajo u përgjigj se ka një grup të thjeshtë kushtesh.

“Dhe kjo është se Ballkani i Hapur duhet të jetë plotësisht dhe njëlloj i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Reinke.

“Ekziston një grup i thjeshtë kushtesh, dhe ai është që “Ballkani i Hapur” të jetë plotësisht dhe njëlloj i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa fusnota, pa kushte të veçanta. Pra, përderisa ajo është e hapur për të gjithë dhe për sa kohë që të gjitha parimet brenda Ballkanit të Hapur janë plotësisht në përputhje me kushtet që do të priste BE në procesin e anëtarësimit. Këto janë kushtet”, deklaroi ajo.

Siç tha ajo, kjo do t’u jepte vendeve të Ballkanit Perëndimor një mundësi për të ndërtuar ekonomitë e tyre, për të punuar në vendosjen e normave dhe parimeve rregullatore për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe burimeve dhe të jenë më të përgatitura para anëtarësimit në BE.

E pyetur nëse shqetësohet për mbështetjen e Rusisë për Ballkanin e Hapur, Reinke u përgjigj se për të nuk është vendimtare se kush e mbështet, por për çfarë bëhet fjalë.

“Dhe ajo që ne kuptojmë dhe mbështesim është Ballkani i Hapur, i cili është njëlloj i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit dhe plotësisht në përputhje me parimet e BE-së”, tha Reinke.

Ndryshe, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë pjesë e kësaj iniciative rajonale ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina deri më tani kanë refuzuar të jenë pjesë e kësaj nisme.

(Kosova Sot Online)