32-vjeçari merr naftën “falas”, mbush makinën në karburant dhe arratiset

  • E.K /
  • 27 June 2022 - 11:43
32-vjeçari merr naftën “falas”, mbush makinën në karburant dhe arratiset

Një 32 vjeçar në Durrës ka gjetur “zgjidhjen” për të mos paguar asnjë lekë për naftën. Burime nga policia bëjnë të ditur se i riu ndaloi në një karburant dhe pasi mbushi makinën u largua pa paguar, për t’u arrestuar më pas në flagrancë. 32-vjeçari rezultoi po ashtu se ishte në gjendje të dehur.

 “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 32 vjeç, pasi ka furnizuar automjetin me karburant, në një pikë karburanti, dhe është larguar pa bërë pagesën. Pas ndalimit nga Policia rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, tha policia në një njoftim të shkurtër për ngjarjen.

Sigurisht që kjo nuk është zgjidhja e duhur. Askush nuk duhet ta praktikojë. Është normale që rritja e çmimeve të ketë rënduar edhe më tej xhepat e qytetarëve por në rast se nuk përballoni çmimet më e mira do të ishte të mos përdornit makinë personale por të udhëtoni me transport publik.

Nëse largoheni pa paguar naftën do t’ju ndodhë si në rastin e këtij 32-vjeçari në Durrës, i cili u arrestua nga policia.

(Kosova Sot Online)