Inspektorati u jep tri ditë kohë furrtarëve që ta arsyetojnë rritjen e çmimit të bukës

  • A.P /
  • 28 June 2022 - 18:00
Inspektorati u jep tri ditë kohë furrtarëve që ta arsyetojnë rritjen e çmimit të bukës

Në disa furra të vendit, dje çmimi i bukës arriti në 60 centë. Kjo rritje aktivizoi edhe Inspektoriatin e Tregut, të cilët dolën sot në terren për të kuptuar arsyet e ngritjes së çmimit të bukës.

Lidhur me këtë çështje, media  ka kontaktuar me kryeinspektoren e Tregut, Lebibe Haliti, e cila tha se inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë inspektuar furrat ku është shënuar ngritje e çmimit të bukës.

“Inspektorët e tregut në Gjilan i kanë inspektuar dy furra, të cilat e kanë pasë çmimin 60 centë për një bukë. Gjatë inspekimit, ata i kanë verifikuar peshoret dhe deklaracionet i kanë pasur në rregull. Për këtë rritje të çmimit, pronarët e furrave kanë deklaruar se është për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të grurit”, tha ajo

Haliti tha se nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë ndaj furrtarëve, pasi sipas saj, në kohën kur inspektorët kanë kontrolluar furrat, pronarët nuk e kanë pasur dokumentacionin që arsyetojnë ngritjen e çmimit.

Mirëpo, Haliti tha se inspektorët do të presin tri ditë nga furrtarët që ta paraqesin dokumentacionin, pastaj do të merret vendimi.

Media sot ka kontaktuar edhe me kryetarin e Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu. Sipas tij është e palogjikshme që të ngritet çmimi i bukës kur çmimet janë në rënie.

“Është e padrejtë, është jologjike edhe e paarsyeshme. Ka rënie të çmimit të grurit dhe të miellit. Para sezonës kjo është normale dhe logjike. Tash javën e fundit kemi rënie të çmimeve dhe presim rënie të çmimeve të mëtutjeshme. D.m.th nuk vjen si arsye e lëvizjes së çfarëdo çmimi të miellit në treg apo edhe mungesës që ish paraqit. Nuk ka mungesa, ka sasi të mjaftueshme. Presim për një javë të fillojmë me sezonën e grurit. Çmimet janë në ramje, jo në ngritje. Lëvizjet e djeshme të çmimeve i shoh shumë të paarsyeshme”, ka thënë Zejnullahu.

(Kosova Sot Online)