2022 – vit i personave me aftësi të kufizuara, por s’ka punë e as benefite për ta

  • A.P /
  • 28 June 2022 - 19:30
2022 – vit i personave me aftësi të kufizuara, por s’ka punë e as benefite për ta

Vetëm 99 persona që punojnë në institucionet publike të Kosovës janë me aftësi të kufizuara – nga mbi 83 mijë sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë sektor.

Me ligjin në Kosovë, sektori publik dhe ai privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.

Në bazë të kësaj, i bie që institucionet publike do të duhej të kishin të punësuar mbi 1,600 persona me nevoja të veçanta.

Metije Kastrati, nga qyteti i Fushë Kosovës, ka lindur me të meta në dorën e majtë, por thotë se kjo nuk e pengon të bëjë punë të caktuara.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se ka të mbaruar gjimnazin e përgjithshëm dhe se, prej vitesh, aplikon për pozita të ndryshme administrative në institucionet publike, por, deri më tash, pa sukses.

“Qe moti kam qenë e gatshme të punoj, nganjëherë jam lodhur, jam dorëzuar, kam thënë: nuk aplikoj më… Por, prapë jam kthyer [e kam aplikuar], duhet të siguroj një vend pune, sepse kam nevojë”, thotë 45-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve.

Në vitin 2017, tregon ajo, ka aplikuar në një konkurs të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përkatësisht në pozitën e “asistentes administrative” në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Drenas.

Metija nuk është pranuar dhe thotë se ankesa që ka bërë, i është refuzuar.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Brendshme për rastin e saj, por nuk ka marrë përgjigje.

“Viti i personave me aftësi të kufizuara”

Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, viti 2022 është shpallur “Vit i personave me aftësi të kufizuara”.

Në bazë të këtij vendimi, institucionet obligohen që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën e punësimit në bazë të Ligjit për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara. Inspektorati i Punës, në anën tjetër, obligohet për inspektimin e zbatimit të këtij ligji.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse përmbush ose jo kuotën e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Zyra e Presidentes së Kosovës.

Nga Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, thonë se në mesin e 182 nëpunësve të shërbimit civil, gjashtë janë persona me aftësi të kufizuara. Kjo tregon se ky institucion e ka tejkaluar kuotën e punësimit të kësaj kategorie.

REL ka dërguar pyetje për numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara edhe në adresë të ministrive, por vetëm disa prej tyre janë përgjigjur.

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk është i punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara. Ky institucion ka nga 225 punonjës në listën e pagave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës thotë se ka të punësuar dy persona me aftësi të kufizuara. Numri i përgjithshëm i punonjësve në këtë ministri, përfshirë ata që shërbejnë nëpër misionet diplomatike e konsullore të Kosovës, është 330.

Në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural aktualisht është i punësuar një person me aftësi të kufizuara, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve është 154.

Në Ministrinë e Drejtësisë është i punësuar, po ashtu, një person me aftësi të kufizuara – nga 107 nëpunës të shërbimit civil.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq, ka të punësuar pesë persona me aftësi të kufizuara në mesin e 546 të të punësuarve.

Ministritë e tjera nuk kanë kthyer përgjigje.

Institucionet s’i paguajnë obligimet

Probleme, megjithatë, nuk duket se ka vetëm me punësimin. Institucionet publike nuk i paguajnë as obligimet materiale që kanë ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Në bazë të Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, në rast se punëdhënësi nuk i përmbush detyrimet për punësimin e kësaj kategorie, ai duhet të ndajë në një xhirollogari të veçantë pagesat mujore – me vlerën e pagës minimale – për çdo person me aftësi të kufizuara që do të duhej ta kishte të punësuar.

Këto para, pastaj, do të shfrytëzoheshin për projekte të ndryshme, me qëllim të përgatitjes së personave me aftësi të kufizuara për treg të punës.

Vlera e pagës minimale në Kosovë aktualisht është 130-170 euro.

Nga Inspektorati i Punës thonë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tani, asnjë institucion publik nuk i ka bërë pagesat për “shkaqe teknike”, por nuk specifikojnë më shumë.

Nëse rast se nuk përfundohen këto obligime, ligji kërkon që punëdhënësi të ndëshkohet me gjobë nga 500 deri në 2,000 euro.

Për këtë çështje, REL ka kontaktuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, e cila mbulon pagesat e personave me aftësi të kufizuara, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Maliqi: Nëse nuk ka ndëshkim, vetëdija nuk rritet

Afrim Maliqi, drejtues i organizatës “Handikos-Kosova”, e cila merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, bën thirrje për më shumë përgjegjësi.

“Derisa nuk ndodh ndëshkimi, vetëdija nuk do të ngrihet kurrë. Në momentin kur nuk zbatohet një ligj dhe institucionet shtetërore janë të obliguara që ta zbatojnë, atëherë është shkelje e të drejtave të njeriut, jo vetëm diskriminim, është diçka shumë më e madhe”, thotë Maliqi.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të jenë shembull për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pasi, siç thotë, kjo kategori ofron kuadro të mjaftueshme profesionale.

“Të papunë nga kjo kategori ka me diploma universitare, me diploma të shkollës fillore dhe të mesme. Ka shumë juristë, ekonomistë me diploma universitare. Por, nuk do të thotë se të gjithë duhet të kenë diploma universitare… Edhe të tjerë mund të përfundojnë punë të tjera në administratë”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Metija, e cila merr pensionin që u takon personave me aftësi të kufizuara – prej 100 eurosh në muaj – thotë se ka ende shpresë se mund të gjejë punë.

“Në kategorinë time ka shumë persona me aftësi të kufizuara, të cilët mund të punojnë, por nuk u jepet mundësia… Nuk u jepet mundësia në aplikimet për punë; si të shohin, të refuzojnë menjëherë, nuk të thërrasin më. Kjo është ajo pengesa jonë më e madhe. Edhe ne duam të jetojmë jetën, dëshirojmë të jemi të pavarur”, thotë Metija.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në botë.

Në Kosovë, sipas OBSH-së, jetojnë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh – me më shumë se 220 mijë të punësuar – por edhe aty, kuota e punësimit të personave me aftësi të kufizuara është larg përmbushjes.

(Kosova Sot Online)