Helikopteri serb lëshon parashutistë në zonën kufitare, dyshohet që hyn edhe në territorin e Kosovës

  • G.G /
  • 29 June 2022 - 12:06
Helikopteri serb lëshon parashutistë në zonën kufitare, dyshohet që hyn edhe në territorin e Kosovës

Një helikopter i Serbisë gjatë mëngjesit të sotëm ka lëshuar disa parashutistë në kufirin me Kosovë, saktësisht në fshatin Miroc të Podujevës. Demokracia.com sjell detaje ekskluzive lidhur me këtë rast, me të cilin tani po merren Policia e Kosovës.

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në fshatin Miroc të Podujevës, në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Demokracia.com ka mësuar se banorët e kësaj pjese e kanë vërejtur një helikopter të Serbisë, i cili ka lëshuar disa parashutistë në zonën kufitare me Kosovën dhe dyshohet se ata kanë hyrë edhe në territorin e Kosovës.

Sipas një familjari të dëshmitarit të rastit, i cili posedon edhe dëshmi, menjëherë është angazhuar njësia reaguese e policisë së bashku me njësinë e kufirit dhe ato tashmë janë duke u marrë me rastin.

Familjari i këtij dëshmitari ka treguar për Demokracia.com se në këtë lokacion ka dalë edhe njësia  kufitare dhe nga një distancë rreth 50 metra e kanë vërejtur sërish helikopterin serb, i cili dyshohet se i ka mbledhur parashutistët serbë dhe ka vazhduar më pas drejt Serbisë.

“Njësia e stacionit policor në Podujevë ka përfunduar në atë lokacion rreth orës 10:30. Në vendngjarje kanë mbetur policia kufitare me informatorin”, ka thënë familjari i dëshmitarit për Demokracia.com.

Demokracia.com ka mësuar se Policia e Kosovës tashmë është e informuar për këtë rast, por ende nuk kanë qenë në gjendje të japin informacione zyrtare.

(Kosova Sot Online)