I vjen fundi ‘shmekut’ me skuterë elektrik nëpër sheshet e Prishtinës

  • E.K /
  • 01 July 2022 - 13:46
I vjen fundi ‘shmekut’ me skuterë elektrik nëpër sheshet e Prishtinës

Vijnë me shpejtësi por pa bërë zhurmë. Përdoruesit e trotineteve elektrik i kanë edhe disa ditë mundësi që të sillen vërdallë nëpër sheshet e kryeqytetit dhe jo vetëm. Komuna e Prishtinës është duke hartuar një rregullore për këtë kategori, në të cilën nuk do mungojnë as pikat ndëshkuese

Në sheshet e Prishtinës, përpos këmbësorëve të moshave të ndryshme, së fundmi jemi duke parë edhe shumë qytetarë që me shpejtësi të ‘dritës’, vozisin E-Scooters dhe biçikleta, gjë që është e ndaluar edhe me ligj.

Përdoruesit e këtyre mjeteve transportuese, akoma nuk e kanë të qartë nga duhet të lëvizin, pasi, Komuna e Prishtinës ende nuk e kanë dal me ndonjë rregullore, lidhur me këtë çështje.

Mirëpo, rregullorja e tillë, është në procedurë e sipër.

Kështu kanë konfirmuar për Syri.net Kosova, nga kjo komunë.

Në përgjigjën e dhënë, rregullorja do parasheh caktimin e lokacioneve dhe qarkullimi i tyre nuk do lejohet assesi në sheshe, pasi rrezikojnë qytetarët tjerë.

“Jemi duke punuar në rregulloren për E – Scooters ,  lokacionet do të caktohen  ku mund të lëvizin personat me E – Scooters, padyshim që nuk do kenë qasje nëpër sheshet e qytetit pasi rrezikohen kalimtarët” ka thënë zëdhënësja e komunës, Arlinda Kastrati.

E, ata që thyejnë pikat e parapara të kësaj rregullore, do ndëshkohen.

“Rregullorja e E- Scooters parasheh dhe masat ndëshkuese për secilin ngasës i cili i thyen rregullat gjatë ngasjes” thuhet në përgjigjen e zyrtares komunale.

Nga ana tjetër, përdorimet e E-Scooters, që mbushen me rrymë, janë shtuar pikërisht për shkak të shtrenjtimit të derivateve.

Pra, qytetarët në vend të veturave, po i përdorin trotinetet e tillë për të lëvizur, duke kursyer xhepin e tyre.

Sidoqoftë, lëvizja e tyre në sheshet e kryeqytetit, po del të jetë shqetësuese për qytetarët.

Shqipe Aliu, në një prononcim për Syri Kosova, tha se po frikësohet kur po e dëgjon vetëm zilen e trotinetit, pasi zhurmë tjetër s’po dëgjohet.

“Po frikësohem kur po e dëgjoj zhurmën e ziles që po e prekin këta me trotinete. Bile, disa po vijnë aq shpejtë saqë po them veç kur do e shkelin ndonjë fëmijë. Këta nëpër shesh s’duhet me dal hiç se sheshi është për këmbësorë me ecë lirshëm e jo mu pru kush po të shkel me trotinet. Ishalla e bëjnë një zgjidhje sa më shpejt” u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, përdoruesit e trotineteve deri në daljen e rregullores do enden nga të munden.

(Kosova Sot Online)