Ukraina dhe Rusia pretendojnë të dyja kontrollin mbi Lysychansk, ç’po ndodh në qytetin lindor

  • A.P /
  • 03 July 2022 - 10:32
Ukraina dhe Rusia pretendojnë të dyja kontrollin mbi Lysychansk, ç’po ndodh në qytetin lindor

Qyteti lindor i Ukrainës, Lysychansk, është në qendër të pretendimeve, pasi si forcat ruse dhe ato ukrainase thonë se e kanë nën kontroll, shkruan BBC.

Ukraina thotë se forcat e saj po përballojnë sulmet intensive ruse atje, por këmbëngul se qyteti nuk është pushtuar.

Megjithatë, separatistët e mbështetur nga Rusia thonë se kanë hyrë me sukses në qytet dhe kanë arritur në qendër të tij.

Burimet ruse kanë postuar gjithashtu në Tëitter video të flamurit sovjetik që dyshohet se është vendosur në qendrën administrative të shkatërruar të qytetit, por kjo nuk është verifikuar.

Është qyteti i fundit i mbajtur nga Ukraina në Luhansk, pjesë e rajonit industrial të Donbasit. Rusia pushtoi qytetin e afërt të Severodonetsk muajin e kaluar.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haida, tha se sulmi në Lysychansk nuk kishte pushuar, me forcat ruse që i afroheshin qytetit të rrethuar nga të gjitha anët.

Rodion Miroshnik, ambasador në Rusi i Republikës Popullore të Luhanskut, pro-Moskës, i tha televizionit rus se Lysychansk ishte “vënë nën kontroll” por “ende nuk ishte çliruar”.

Imazhet e ushtarëve rusë çeçenë brenda qytetit u shpërndanë në rrjet. Që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke pretenduar se donte të “çmilitarizonte” dhe “denaziste” Ukrainën pasi ajo u afrua më pranë NATO-s, mijëra civilë dhe luftëtarë janë vrarë ose plagosur, ndërsa të paktën 12 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Shtetet perëndimore janë përgjigjur duke armatosur Ukrainën dhe duke vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë, një superfuqi bërthamore dhe furnizues global i energjisë.

(Kosova Sot Online)