Qeveria s’ka dërguar ende një ofertë veteranëve, shoqatat e dala nga lufta paralajmërojnë sërish protesta

  • A.P /
  • 03 July 2022 - 13:27
Qeveria s’ka dërguar ende një ofertë veteranëve, shoqatat e dala nga lufta paralajmërojnë sërish protesta

Janë bërë më shumë se dy javë që kur kryeministri Albin Kurti iu ka premtuar shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, se do t’i dërgojë një propozim-ofertë në formë të shkruar lidhur me kërkesat e tyre për pensione.

Megjithatë, Qeveria ende nuk ka dërguar një ofertë të tillë te veteranët.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress, se ekzekutivi ka finalizuar një propozim konkret dhe përmbajtjesor dhe brenda një kohë shumë të shkurtër do ta ndajnë me përfaqësuesit e organizatave dala nga lufta e UÇK-së.

“Në takimin me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës që kryeministri Kurti ka mbajtur në zyrën e tij është ritheksuar përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Në takim janë prezantuar edhe propozimet e Qeverisë në këtë drejtim, të cilat propozime u dorëzohen përfaqësuesve të këtyre organizatave edhe në formë të shkuar. Ne kemi finalizuar një propozim konkret dhe përmbajtjesor dhe brenda një kohë shumë të shkurtër do ta ndajmë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës”, thotë Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Nënkryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Bilalli, thotë se deri të premten nuk kanë pranuar asnjë propozim me shkrim nga Qeveria.

Billalli thotë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, këto shoqata do të organizojnë sërish protesta në ditën kur do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për pagën minimale.

“Deri sot qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje, edhe pse kryeministri ka premtuar që do ta bëjë me shkrim një ofertë, pra deri më sot nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Jemi në pritje e sipër, sa i përket kësaj nuk është diçka shqetësuese për neve, sepse jemi mësuar me këtë qeveri që premton dhe nuk realizon. Njëjtë është edhe këtu, veprimet e shoqatave të dala nga lufta do të vendosin kryesitë, këshilli drejtues për ecuritë e mëtutjeshme, mirëpo qëndrimet e shoqatës dhe të ushtruesit të detyrës së shoqatës së veteranëve të luftës, Faton Klinaku, Xhavit Jashari, Fadil Shurdhaj, edhe të kryesisë janë, që në atë moment që shkon në lexim të dytë projektligji për pagën minimale, pra veteranët prapë do të jenë në protesta. Dhe deri në ditën e fundit nuk do të ndalemi për të kërkuar të drejtat tona, që janë të drejta minimale, që është edhe turp të përmenden pas këtyre viteve për këtë kategori”, thotë ai.

Bilalli thotë se kërkesat e tyre janë legjitime dhe nuk do të lëshojnë “pe” në asnjë mënyrë për realizimin e tyre. 

“Asnjë herë nuk do të largohemi nga kërkesat tona, që janë kërkesa minimale dhe është turp për qeverinë me bërë kaq shumë zhurmë për asgjë hiq.  Mirëpo jemi mësuar me këtë qeveri, për deklaratat e tyre… Qeveria e ka gabim, është hyrë në një rrugë pa kryer, organizatat e dala nga lufta nuk do lëshojnë pe deri në pikën e fundit për kërkesat e tyre. Kërkesat janë legjitime”, thotë ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti në konferencën për media më 18 qershor, një ditë pas takimit me drejtues të shoqatave të dala nga lufta, ka thënë se gjatë javës së ardhshme do t’i dorëzojnë organizatave të dala nga lufta propozimin e tyre si zgjidhje për kërkesat e tyre . 

“Propozimet me shkrim do t’i dërgohen sa më shpejtë që të mundemi, gjatë javës së ardhshme patjetër, dhe bashkë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve jemi duke punuar në një propozim konkret, ofertë përmbajtjesore me shkrim, të qartë për organizatat e dala nga lufta. Jam i hapur dialog, për komunikim, për kontakte të rregullta, zyrën time e kanë të hapur për të gjitha takimet dhe dilemat që mund t’i kenë, por në të njëjtën kohë e shpreh edhe përkushtimin tim, jo vetëm me këtë çështje, se Qeveria e Kosovës është e interesuar që UÇK të trajtohet me dinjitet edhe sa i përket zhvillimit socio-ekonomik të vendit tonë, por edhe sa i përket aspektit institucional e demokratik të shtetit të pavarur të Kosovës. Pra, nuk duam rritje ekonomike e mirëqenie pa veteranët, dhe nuk duam demokraci e pavarësi pa veteranët, e duam me ta”, ka thënë Kurti.

Takimi i drejtuesve të shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Qeveri me kryeministrin, Albin Kurti kishte ardhur një ditë pas protestës së veteranëve të organizuar para Kuvendit të Kosovës, ndonëse pas takimit veteranët kanë theksuar se nuk ishin pajtuar me asnjë nga pikat e shefit të ekzekutivit.

Nga protesta e 16 qershorit ishte ndërprerë edhe seanca e kuvendit, derisa deputetët e PDK-së dhe AAK-së, nuk kishin lejuar që ajo të mbahet, duke bllokuar foltoren e Kuvendit.

(Kosova Sot Online)