Peci i bashkëngjitet Kurtit në Kombajnë për korrje-shirje

  • A.P /
  • 03 July 2022 - 13:38
Peci i bashkëngjitet Kurtit në Kombajnë për korrje-shirje

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka qëndruar në fshatin Sopi të Suharekës ku kanë filluar korrje-shirjet e grurit. Peci ka publikuar disa fotografi ku së bashku me kryeministrin Kurti kanë hipur në kombajnë.

Ai ka shkruar se bujku kosovar është më i përkrahuri krahasuar me rajonin.

“Bukën tonë të përditshme, falna sot! Sot së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, vizituam fermerin Fazli Beqiraj i cili posedon rreth 60 hektarë grurë, ku edhe filluam korrje-shirjen e grurit. Bujku kosovar, falë mbështetjes së Qeverisë Kurti 2, për vetëm një vit udhëheqje është bujku më i përkrahur krahasuar me vendet e rajonit. Qeveria ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022, ku teksa flasim, procesi i kontrollës administrative dhe asaj në teren po vazhdon”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se një hektar grurë këtë vit subvencionohet me rreth 474 euro.

“1 ha me grurë këtë vit do të subvencionohet me rreth 474€, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150€ për hektarë. Poashtu, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj. Kultura e grurit ka një rritje prej 216% të mbështetjes financiare krahasuar me qeverisjet e kaluara. Thjeshtëzimi i procedurës së aplikimit ka sjellë rritje të sipërfaqeve të mbjellura, e për fat, këtë vit presim dhe rendiment më të lartë falë kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar në vendin tonë. Djersa e bujkut është dukati me të cilën paguajmë bukën e përditshme andaj duhet vlerësuar maksimalisht”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)