Beogradi i reagon Kurtit për targat

  • E.K /
  • 04 July 2022 - 09:34
Beogradi i reagon Kurtit për targat

Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili iu ka kërkuar serbëve të Kosovës që të regjistrojnë veturat me targat e reja RKS.

Por sipas Petkoviqit “targat aktuale të serbëve janë legale”.

“Targat serbe në Kosovë nuk janë të paligjshme, ato ekzistojnë në bazë të ligjit të shtetit të Serbisë dhe marrëveshjes së Brukselit. E vetmja gjë e paligjshme është mosrespektimi dhe shkelja e marrëveshjes, jo targat , ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Kurti të dielën ka postuar një video në rrjetin social Facebook duke u komunikuar qytetarëve serbë edhe vendimin e fundit të qeverisë për reciprocitet ndaj Serbisë me targa dhe letërnjoftime.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022.

Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe obligon Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.

Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, përfundon komunikata. 

(Kosova Sot Online)