Ndërsa lufta po vazhdon, mbahet konferencë për rindërtimin e Ukrainës

  • A.P /
  • 04 July 2022 - 15:56
Ndërsa lufta po vazhdon, mbahet konferencë për rindërtimin e Ukrainës

Në Lugano të Zvicrës zhvillohet konferenca që do të përpilojë strategjitë për rindërtimin e Ukrainës, pavarësisht luftimeve që vazhdojnë. Por ajo nuk do të jetë një konferencë donatorësh.

Përfaqësues nga 40 vende të botës dhe organizata ndërkombëtare konsultohen këtë të hënë në Lugano të Zvicrës për rindërtimin e Ukrainës, pavarësisht vazhdimit të luftimeve. Qeveria ukrainase për herë të parë do të prezantojë prioritetet e saj për procesin e rindërtimit. Si përfaqësues nga Ukraina vijnë zëvendëskryeministri, Denys Shmyhal dhe ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba. Presidenti, Volodymyr Zelensky do të jetë i pranishëm përmes mesazhit me video. Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Çekisë janë pjesëmarrës në konferencë.

(nga e djathta) Presidenti i Federatës Zvicerane, Ignazio Cassis, presidentja e KE, Ursula von der Leyen, dhe zëvendëkryeministri ukrainas, Denys Shmyhal

Strategji për rindërtimin

Por Lugano nuk do të jetë një konferencë donatorësh. Ky takim synon vetëm të përpilojë strategjitë për rindërtimin, që orientohen nga një plan Marshall, si plani amerikan që çoi në rindërtimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Pritet që rindërtimi i Ukrainës pas muajsh shkatërrimi të kushtojë disa qindra miliarda dollarë. E ngarkuara për konferencën, zviceranja Simone Pidoux u shpreh para konferencës se ky proces do të zgjasë “me vite, në mos dekada”. Por Ukraina do të konfrontohet në Lugano edhe me kërkesa për reforma të thella, veçanërisht në drejtim të korrupsionit të përhapur në vend.

Presidenti Zelensky në mesazhin e tij me video të hënën ka pranuar humbjen e qytetit Lysytshansk dhe tërheqjen e forcave ukrainase nga ky qytet, por ai premtoi, se do të rivendosë kontrollin mbi këtë territor. Tek kjo do të kontribuojnë edhe ndryshimi i taktikës dhe armët e reja të përmirësuara, tha ai. “Ukraina nuk do të dorëzohet.” Nga ana e saj ushtria ukrainase përparon në rajonin e Kharkivit në lindje dhe në jug në rajonin e Khersonit. Lysytshansk ishte bastioni i fundit i ukrainasve në rajonin e Luhanskit. 

(Kosova Sot Online)