Delegacioni kosovar dhe ai amerikan i MCC-së takohen sot

  • E.K /
  • 05 July 2022 - 08:04
Delegacioni kosovar dhe ai amerikan i MCC-së takohen sot

Sot, duke filluar nga ora 09:00 deri në 11:30, do të mbahet takimi në mes të delegacionit amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës.

Ky takim vjen pasi Bordi i drejtorëve të Korporatës së Mijëvjeçarit (MCC) ka aprovuar marrëveshjen e kompaktit për Kosovën në vlerë prej 236.7 milionë euro.

Në fillim të takimit (20-30 minuta) do të ketë fjalë rasti nga Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Pas aprovimit unanim të Programit Kompakt të Kosovës nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, një delegacion teknik Amerikan ka ardhur për vizitë pune në Kosovë. Qëllimi i vizitës është fillimi i punës në dizajnimin dhe implementimin e projektit të sistemeve akumuluese, si dhe mbajtja e takimeve koordinuese me institucionet hisedare në projektin e kapaciteteve akumuluese të energjisë.

“Pika e parë e vizitës 10-ditëshe do të jetë takimi ndër-institucional në mes të delegacionit amerikan dhe hisedarëve të energjisë në Kosovë, ku bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT-it, KEDS-it, ZRrE-së, KEK-ut, si dhe pjesëtarët e Ekipit për Zhvillimin e Programit Kompakt, të cilët funksionojnë në Zyrën e Kryeministrit. Gjatë takimit do të diskutohen detajet teknike të projektit dhe planet e ardhshme për të përshpejtuar procesin e zbatimit” thuhet në kumtesën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

(Kosova Sot Online)