Petkoviq: Derisa ne kemi luanin Vuçiq, Kosova nuk do të guxojë ti cenojë serbët

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 11:36
Petkoviq: Derisa ne kemi luanin Vuçiq, Kosova nuk do të guxojë ti cenojë serbët

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, sërish i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “mbledh mendtë” dhe “të bëjnë presion mbi Kosovën që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” sepse, siç pretendon ai, “nëse nuk përmbushet gjithçka që ka qenë e nënshkruar në marrëveshjen në Bruksel, mund të jetë tepër vonë dhe jemi duke shkuar në një greminë me pasoja të pallogaritshme”, përsëri kërcënon Petkoviq.

“Në vend që të arrijë marrëveshje dhe të ecë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, Prishtina po hedh hapa të rinj në drejtim të destabilizimit. Kurti dëshiron me çdo mënyrë që serbët në veri të Kosovës t’i futë në luftë. Le ta dinë të gjithë mirë se ne nuk do të shikojmë në heshtje gjersa dikush na “gatuan si bretkosën në tenxhere”. Ata nuk do ta shohin këtë film sepse ne kemi në krye presidentin Vuçiq, i cili me të vërtetë lufton si luan për interesat e popullit tonë në Kosovë, por edhe për paqen dhe stabilitetin në mbarë Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Petkoviq në stilin e servilëve të Koresë së Veriut.

“Në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e negociatave në Bruksel dhe për t’i çuar ato tërësisht në drejtim të negociatave për njohje reciproke, Kurti edhe pas progresit të qershorit në fushën e energjisë, bëri gjithçka për ta kthyer këtë proces dy hapa pas. Fillimisht Prishtina mori vendim për ndalimin e letërnjoftimeve dhe targave serbe, ndërsa tani po fut edhe një “kungj” në marrëveshjen për të zhdukurit, e cila ishte pothuajse plotësisht e detajuar”, ka thënë Petkoviq.

(Kosova Sot Online)