Kuvendi e themelon një komision dhe Konjufca e mbyllë seancën: Shihemi nesër

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 15:04
Kuvendi e themelon një komision dhe Konjufca e mbyllë seancën: Shihemi nesër

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e themeloi komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të bordit për ankesa të mediave.

“Ngarkohet komisioni ad-hoc që të veprojë në përputhje me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Kuvendit t’ia paraqesë raportin me rekomandime”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca pas votimit.

Me këtë votim, kryetari i Kuvendit e mbylli seancën plenare, nga e cila mbetën të papërfunduara disa pika të rendit të ditës të mbetura nga seancat e kaluara, për të cilat nuk pati kuorum as këtë herë.

“Të nderuar deputetë, për ato pikat tjera për të cilat nuk patëm kuorum, do ta caktojë një seancë dhe t’i mbyllim ato pika. Por për këtë do të njoftoheni me kohë”, tha Konjufca.

“Shihemi nesër në orën 10”, tha ai.

Nesër do të mbahet një seancë e re e Kuvendit, me pika tjera në rend të ditës.

Ndër tjerash, për nesër parashihet edhe një debat parlamentar në lidhje me mosliberalizimin i vizave për Kosovën.

(Kosova Sot Online)