Shqipëria i hap dritën jeshile NATO-s për një bazë të re detar

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 11:39
Shqipëria i hap dritën jeshile NATO-s për një bazë të re detar

Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin përpara një takimi me NATO-n në lidhje me një bazë të re detare në vend, sipas gazetës britanike “Express” (express.co.uk). Kryeministri Edi Rama do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin. Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, filloi punën për shndërrimin e një baze ish-sovjetike në një bazë ajrore të NATO-s, duke çimentuar lidhjet e Tiranës me Brukselin. Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën për të diskutuar projektin.

Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. Financimi do të sigurohet si nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1,53 për qind të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen. Duke folur për planin, Rama tha se ”Ne do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë… për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.

Në maj, Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit. E vendosur në jug të Vlorës, rreth 170 kilometra nga Durrësi, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve ’50, në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën.

Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje. Ky opsion duket se është paraqitur në favor të Porto Romanos.

(Kosova Sot Online)