Kushdo që e shihni këtë person, lajmërojeni menjëherë Policinë

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 13:59
Kushdo që e shihni këtë person, lajmërojeni menjëherë Policinë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë po kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Edmond Nokajt nga fshati Marmull i Gjakovës.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Policia ka bërë me dije se është siguruar autorizimi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë së personit të dyshuar, me qëllim lokalizimin e tij.

Nokaj po kërkohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Sektorit  Rajonal për Hetime dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë-Gjakovë.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës apo stacioni më të afërt policor”, thuhet në kërkesën e Policisë.

(Kosova Sot Online)