MSH deklarohet për shtrëngimin e masave pas rritjes së rasteve me Covid-19

  • G.G /
  • 12 July 2022 - 15:19
MSH deklarohet për shtrëngimin e masave pas rritjes së rasteve me Covid-19

Në 2184 ka shkuar numri i rasteve aktive me Covid-19 në Kosovë. Ndërkohë që nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Indeksonline thonë se po analizojnë trendet në vendet e rajonit tonë, si dhe shtetet ku kemi mërgatë.

Siç tregojnë nga MSH, të gjithë trupat relevante në gatishmëri dhe reagim ndaj Covid-19 janë në konsultime të vazhdueshme.

“Situata me COVID-19 po përcillet në baza ditore. IKShPK përveç grumbullimit të të dhënave, analizon edhe të dhënat dhe trendet nga vendet tjera, me fokus të veçantë në vendet e rajonit tonë, si dhe shtetet ku kemi mërgatë”.

Deri më tani nuk ka shtrëngim të masave mbrojtëse, por se nga MSH thonë se ndryshimi eventual i masave do të dalë nga rekomandimet e ekspertëve.

“Ndryshimi eventual i masave do të dalë nga rekomandimet e ekspertëve. Masat aktuale në fuqi, rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj vaksinimi”.

MSH, u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse kjo është masa më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, zhvillimit të formave të rënda të saj dhe vdekjeve.

“Situata është nën menaxhim permanent dhe ngarkesa spitalore e përballueshme”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

(Kosova Sot Online)