“Elektrosever” shkel afatet, as pas 3 javësh nuk dërgon të dhëna në KOSTT

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 10:09
“Elektrosever” shkel afatet, as pas 3 javësh nuk dërgon të dhëna në KOSTT

Kompania “Drustvo Elektrosever”, e cila para pak ditësh mori licencën nga Zyra e Rregullatorit për Energji, për furnizim me energji elektrike për katër komunat veriore të vendit, nuk është duke e respektuar marrëveshjen. Kjo kompani ende s’u ka ofruar të dhënat KEDS’it dhe KOSTT’it dhe s’ka nënshkruar marrëveshjet që obligohet në licencë.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Zëdhënësja e KOSTT’it, Elvane Devexhi Osmani i ka thënë se Elektroseveri ende s’ua ka siguruar të dhënat për konsumatorët dhe se s’janë nënshkruar marrëveshjet.

Për pikat e tjera të kësaj marrëveshje, nga ky institucion kanë sugjeruar t’u drejtohemi ZRRE’së.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë si dhe nuk janë nënshkruar marrëveshjet me KOSTT sipas pikës 3. Për më shumë në lidhje me pyetjet tuaja, ju lutem drejtohuni ZRRE-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energji të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklarua Devexhi Osmani.

Elektroseverit i është lëshuar licenca më 24 qershor.  Sipas licencës, kjo kompani obligohej që brenda shtatë ditëve t’i sigurojë KEDS’it dhe KOSTT’it të dhënat më të fundit për konsumatorët.

“Elektrosever” obligohej poashtu që brenda dhjetë ditëve nga data e lëshimit të licencës të nënshkruaj me KOSTT’in dhe KED’in marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe në ZRRE për të marrë informacione lidhur me zbatimin apo jo të kësaj marrëveshje, por asnjëra nga këto dy institucione s’kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.

Licenca që i ka lëshuar ZRRE, e obligon Elektrosever’in edhe që të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licensës së furnizimit.

30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST thuhet se (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nën-stacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit.

Përveç obligimeve që duhet t’i kryej, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia kishte dhënë në fund edhe një paralajmërim kësaj kompanie.

Nëse kompania s’i përmbush kërkesat e caktuara brenda 100 ditëve nga data e lëshimit të licencës, ZRRE kishte thënë se do t’i pezullohet apo tërhiqet licenca.

“Në rast se kërkesat e cekura më lartë nuk përmbushen pas njëqind ditëve nga data e lëshimit të Licencës për furnizim, ZRRE do të ndërmar të gjitha veprimet ligjore të pezulloj dhe/ose tërheq licencën për furnizim për “Drustvo Elektrosever” D.O.O sipas legjislacionit në fuqi, në pajtim me pikën 8 të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për të Energjisë, e datës 21.06.2022”, thuhet në vendimin e ZRRE’së.

Ndryshe, më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk është zbatuar asnjëherë.

(Kosova Sot Online)