Sheshi “Srbija”, planin e Petkoviqit të cilit iu ndalua edhe sot hyrja në Kosovë, dje e zbatoi Rakiq

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 11:35
Sheshi “Srbija”, planin e Petkoviqit të cilit iu ndalua edhe sot hyrja në Kosovë, dje e zbatoi Rakiq

Për të dytën ditë me radhë, Petar Petkoviq, që në qeverinë serbe shërben si drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, ia mësyu të kalojë kufirin me Kosovën, por u ndalua. Dje ai tha se pati ndërmend të merrte pjesë në përurimin e një sheshi me emrin “Srbija” në Kufcë të Epërme të Gjilanit, për të cilin tha se ishte financim nga Zyra e tij. Meqë dje nuk mundi të vinte, Petkoviq bëri një zotim për bashkëkombasit e tij se sot medoemos do të jetë në Kosovë. Por, sërish ky plan i dështoi.

Për këtë ai u ankua duke thënë se kryeministrit i vendit, Albin Kurti, po ia ndalon hyrjen përkundër se, sipas tij, ka qenë në rregull me procedurat.

“Sot në mëngjes Albin Kurti më ndaloi të hyj në ambientet e Kosovës pasi dje bëri të njëjtën gjë. Ne në Beograd prej kohësh nuk kemi dyshime se çfarë bën Kurti dhe si sillet. Sjellja e tij ilegale dhe arrogante absolutisht nuk na habit më neve”, tha Petkoviq. Nga kufiri ai sot, ankesën e drejtoi te BE-ja, të cilës bashkë me Prishtinën iu kërkoi “t’i thërrisnin mendjes”.

Dje edhe pa Petkoviqin, sheshi u përurua. Në vend të tij, shiritin e prenë një ministër i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, si dhe kryetari i komunës së Novobërdës, Sasha Millosheviq,

“Jam në vendkalimin Konçul, ku për të shtatën herë radhazi më është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës. Vizitën time e kam njoftuar siç duhet dhe me kohë, por Prishtina më ndalon të hyj. Sot duhej të shkoja në Kufcë të Epërme , ku njerëzit tanë po më prisnin për të festuar së bashku Petrovdanin dhe për të hapur sheshin e mrekullueshëm të ndërtuar nga Zyra për Kosovë dhe Metohi, dhe pas kësaj do të shkoja në Zveçan dhe Leposaviq për të takuar njerëzit tanë, të bisedojmë me ta për të gjitha problemet, të shohim se si mund t’i zgjidhim të gjitha problemet e tyre, të vizitojmë disa familje me asistencë sociale”, tha Petkoviq dje.

Edhe këtu, ai propagandoi për gjendjen e serbëve në Kosovë, duke thënë se derisa ai, negociatori kryesor në dialog, po “trajtohet në këtë mënyrë mund ta kuptoni se si e trajton Prishtina popullin serb në Kosovë, të cilët vuajnë çdo ditë nga terrori i Albin Kurtit”.

Sipas mediave serbe, festa e djeshme në Gjilan filloi me interpretimin e himnit kombëtar serb dhe ngritjen e trengjyrëshit në Kufcë të Epërme afër Gjilanit, përmes së cilës u hap sheshi qendror me shatërvanin, i quajtur simbolikisht “Serbia”.

Rakiq u pa duke marrë pjesë në vallet tradicionale serbe, derisa bëri edhe zotime për banorët lokalë.

“Në bisedën me kryetarin kam dëgjuar se cilat janë nevojat tuaja. Nuk do të ndalemi me kaq, e shoh që duhet një qendër kulturore dhe një sallë sportive, të cilat do t’i arrijmë. Edhe një herë dua t’ju falënderoj të gjithëve në emër të Petar Petkoviqit, mora informacion se nesër do të marrë lejen për të vizituar Kufcën”, kishte thënë Rakiq.

(Kosova Sot Online)