Aksidenti i rëndë në Zhur: Njëri nga të lënduarit lirohet nga spitali, tjetri dërgohet në Intensivë

  • G.G /
  • 13 July 2022 - 13:13
Aksidenti i rëndë në Zhur: Njëri nga të lënduarit lirohet nga spitali, tjetri dërgohet në Intensivë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën Zhur-Prizren, ku një person mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u lënduan. Njëri nga të lënduarit tashmë është liruar nga spitali, ndërsa tjetri është ende në gjendje kritike, shkruan Express.

Menjëherë pas aksidentit në Zhur, dy të lënduar u nisën për në Emergjencën e QKUK-së. Njëri kishte pësuar lëndime të lehta, ndërsa tjetri ishte në gjendje më të rëndë. Mjeku Gëzim Mustafa i tha sot Expressit që i lënduari i parë, pas tretmanit të nevojshëm mjekësor, është liruar nga spitali, ndërsa i lënduari i dytë është transferuar në Klinikën Intensive.

“I lënduari që ka qenë në gjendje më të mirë, pas trajtimit, është liruar për në shtëpi, ndërsa tjetri është transferuar në Mjekim Intensiv për mjekim të mëtejm”, tha Mustafa .

Express ka kontaktuar me shefin e Klinikës Intensive, Shaqir Uka, për të parë se si është gjendja e të lënduarit të dytë. Uka bëri të ditur se pacienti është i moshës 59-vjeçare dhe gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë.

“Pacienti është në gjendje të rëndë, pasiqë ka pësuar lëndime të rënda. Ai ka pësuar politraumë dhe ka lëndime kryesisht në kokë, gjoks, brinjët e majtë dhe mushkëri. I lënduari është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe po vazhdon të monitorohet gjatë gjithë kohës”, tha Uka.

Lidhur me rastin, dje Policia e Kosovës ka arrestuar shoferin e kamionit, i cili dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin me vdekje. Ndaj tij, Prokuroria në Prizren ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë vozitësin e kamionit, përkatësisht personin me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 370, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti të martën për Express. 

(Kosova Sot Online)