Caktimi i çmimit të derivateve nga Ministria, Naftëtarët e pakënaqur i shkruajnë Kurtit

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 14:23
Caktimi i çmimit të derivateve nga Ministria, Naftëtarët e pakënaqur i shkruajnë Kurtit

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i është drejtuar me një letër kryeministrit Albin Kurti, pas vendimit për caktimin e tavanit të çmimeve për derivatet, duke thënë se ky vendim i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit.

Sipas Berjanit, vendimi i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellur kompanitë e vogëla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakice janë furnizuar dje me cmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton cmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogëla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, thuhet në letrën e Berjanit.

Ai i ka apeluar Qeverisë që ta revidoj këtë vendim sa më parë që të mos shuhen bizneset e vogla në kohë krize.

“Andaj, i apelojme Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta revidoj vendimin, të bëhet kalkulimi i importit, shitja me pakicë si dhe të caktohet çmimi nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllim që mos me i shuar bizneset e vogëla në këtë kohë krize”, thuhet në letër.

(Kosova Sot Online)