Kurtit në Greqi opozita vazhdon t’ia numërojë ditët

  • A.P /
  • 13 July 2022 - 17:45
Kurtit në Greqi opozita vazhdon t’ia numërojë ditët

Udhëtimet e Kryeministrit janë shndërruar në diçka që mbahet mend gjatë. Pas vizitës trejavëshe në SHBA dhe disa blic daljeve nga vendi, Kurti iu kthye Greqisë. Atje shkoi në tubimin e përvitshëm të mendimtarëve globalë që ndjekin traditën e filozofëve të lashtë grekë. Simpoziumin Symi, të cilin po e konsideron të rëndësishëm meqë pjesëmarrës janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota, Kurti po e ndjek për të pestin vit radhazi. Në shetin helen po qëndron që nga data 5 korrik dhe ky qëndrim i tij i gjatë u bë subjekt kritike nga opozita në Kosovë. Për mungesën e tij disaditore s’u përgjigj Zyra e tij, por dha një sqarim për hotelin luksoz ku po qëndron shefi i qeverisë.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thirri konferencë për media për të ndarë shqetësimin e saj për këtë vizitë të Kurtit në Greqi, duke thënë se kryeministri po rri gjatë jashtë vendit në një kohë kur ka “luftë për ekzistencë”.

“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Para gazetarëve, ajo tha se ia ka numëruar edhe të gjitha ditët që ka qenë jashtë Kosovës në 100 ditët e fundit.

“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”.

Për këto kritika për qeverisjen e Kurtit nuk e tha ndonjë fjalë zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, por ai u nxitua të tregonte rëndësinë që ka simpoziumi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi nga data 5 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit.  Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Sikur herëve të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori”, tha Kryeziu në një postim në Facebook.

Ky reagim i tij erdhi pas publikimit të pamjeve të resortit luksoz ku po qëndron Kurti, në bregdetin e Lagonisit, 30 kilometra në juglindje të Athinës. Simpoziumi po mbahet në “Grand Resort Lagonissi”, një resort superluksoz, që e konsideron veten si “pragu i parajsës”. Në hotelin që konsiderohet nga hotelet më lidere në mbarë globin, 400 euro kushton dhoma më e lirë për një natë. Por, kjo vetëm për një person.

Simpoziumi nisi të dielën dhe do të mbahet deri të enjten (14 korrik).

Të mirat që ofron një vend turistik si Greqia po i shfrytëzon edhe mbrojtja afërt e kryeministrit Kurti, që sipas fotografive të publikuara në rrjete sociale, gjendet në një pishinë të një hoteli në qytetin grek Sourpi.

Nuk dihet nëse Kurti është akoma në resortin ku po qëndronte për punimet e Symi Simposioumit, sepse vendi ku tani duket se janë rojat e tij, është disa orë larg Athinës.

Në fotografitë të cilat janë publikuar nga “Demokracia”, sigurimi i afërt dhe shoferi i Kurti shihen duke shijuar pishinën e një hoteli, lokacionin e të cilit e kanë bashkëngjitur në fotografi.

Kryeministri Kurti edhe vitin e kaluar kishte tërhequr kritika për qëndrimin e tij në Greqi meqë në Deçan ishte shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit të mbi 500 qytetarëve, ndërsa dy kishin vdekur.

Greqia është një shtet i BE’së që nuk e ka njohur ende Kosovën. Sidoqoftë kontaktet në nivel institucional janë intensifikuar kohëe të fundit përfshirë edhe vizitat e zyrtarëve grekë. Sidoqoftë. dy vendet ende flasin për thellim të raporteve, pa njohje, pasi Athina ende nuk dihet se kur do ta marrë vendimin. Pavarësisht se grekët nuk e kanë bërë ende hapin, mund të thuhet se vendi i tyre është është një destinacioni i shpeshtë edhe i preferuar për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

(Kosova Sot Online)