Avokati Musa: Procesi gjyqësor në Hagë, padrejtësi e madhe ndaj nesh

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 08:21
Avokati Musa: Procesi gjyqësor në Hagë, padrejtësi e madhe ndaj nesh

Sot u mbajt konferenca e 13 ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku avokatët mbrojtës kanë kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë listën e dëshmitarëve, të cilët do t’i thërrasë në tre muajt e parë të gjykimit.

Ata kanë kërkuar që për një gjë të tillë të japë urdhër gjykatësi i procedurës paraprake, meqë, sipas tyre, në këtë mënyrë mbrojtja do të mund të vijonte me përgatitjen e saj.

Lidhur me këtë në “Lajmet e fundit”, foli avokati i licencuar në GJN të Hagës, Skender Musa, i cili tha se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka të drejtë në kërkesat e saj, sepse është e përcaktuar me ligj, është obligim ligjor.

Sipas tij, veprimet e Prokurorisë janë duke dëmtuar mbrojtjen, sepse është shkelje esenciale ndaj mbrojtjes, ngase ajo duhet t’i ketë të gjitha materialet që i posedon Prokuroria.

“Prokurorët kanë frikë se kanë prova të pafaktuara apo të korruptuara, a të falsifikuara, që këto mund të kenë siguruar nga Serbia apo nga të tjerët që punojnë për interesa të Serbisë”, theksoi avokati Musa.

Tutje, ai kritikoi prokurorët, sepse, siç deklaroi ai,  po shprehin një mospunë dhe mosprofesionalizëm.

“Nuk po dorëzohet lista e dëshmitarëve, ndonëse gjyqtari kërkoi që deri më fillim të shtatorit këta emra të dorëzohen”, shtoi avokati Musa.

Më tej, ai shfaqi brengën se ky proces do të zgjasë nga 5 deri në 7 vjet.

“Rreziku është që në shkallë të parë të zgjasë deri në 7 vjet, sepse duhet trajtohen të gjitha provat, ku përfshihen dëshmitarë, ekspertiza, etj. Do një angazhim maksimal të të gjithë aktorëve që merren me këtë proces”, theksoi avokati Musa.

Në fund, avokati Musa deklaroi se kjo që po bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare ndaj ish-krerëve të UÇK-së është një padrejtësi e madhe ndaj nesh, ngase të gjithë e dimë raportin e forcave mes UÇK-së dhe ushtrisë, policisë, e forcave tjera të Serbisë dhe që dihet, gjithashtu, numri viktimave që kanë pësuar nga radhët e shqiptarëve e sa nga pala serbe.

(Kosova Sot Online)