Prokuroria e Bosnjës bashkëpunoi me Europolin, SHBA-në e Francën për arrestimin e Elvis Kelmendit

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 09:35
Prokuroria e Bosnjës bashkëpunoi me Europolin, SHBA-në e Francën për arrestimin e Elvis Kelmendit

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Bosnjë e Hercegovinës e kanë dorëzuar në Prokurori Elvis Kelmendin dhe dy të tjerë: Anel Sejfoviq dhe Aljin Ahmiq, të arrestuar gjatë operacionit të madh policor që u zhvillua të mërkurën në Sarajevë. Tre të arrestuarit tjerë: Slobodan Tomaniq, Hakun Babiq, Amer Pehliq dhe Armin Kulaseviq u liruan.

Ndaj Kelmendit dhe dy të tjerëve është kërkuar masa e paraburgimit. Siç raporton gazeta e njohur boshnjake, Dnevni Avaz, kjo është parë si masë e nevojshme pasi ka aktivitete të bashkëpunimit ndërkombëtar që Prokurorisa e Bosnjës do t’i zhvillojë me strukturat e Europolit, SHBA-së dhe Francës, për ta marrë të gjithë dokumentacionin dhe provat në këtë çështje komplekse të krimit të organizuar.

“Sipas provave të mbledhura, në rastin në të cilin ishte arritur bashkëpunim i rëndësishëm ndërkombëtar, të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal, me role dhe detyra të ndara, i cili kontrabandonte dhe shiste sasi të mëdha të lëndëve narkotike në tregun ilegal të drogës në Sarajevë dhe qytete të tjera për një periudhë të gjatë kohore”, thonë nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.

Image

Elvis Kelmendi i prangosur

Ushtruesi i detyrës së prokurorit do t’i marrë në pyetje të arrestuarit dhe më pas do të merret vendimi për masat e propozuara.

Po ashtu, në kuadër të angazhimit të autoriteteve, po hetohen edhe lëvizjet e parave të fituara me veprimtari të paligjshme, si dhe format e veprimtarisë korruptive të Kelmendit dhe të tjerëve.

Në Kosovë, Elvis Kelmendi kërkohet nga viti i kaluar. Policia e Kosovës e kishte bërë një përpjekje ‘online’ në tetor të vitit 2021 për t’i rënë në gjurmë atij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve.

Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, i futur në listë të zezë nga SHBA-ja në vitin 2012, bashkë me djemtë e tij, vazhdon t’i trazojë organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.

(Kosova Sot Online)