Gjenocidi serb në Kosovë përplas deputetët në Kuvend, PD: Keni shkelur rregulloren, të përsëritet votimi

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 10:52
Gjenocidi serb në Kosovë përplas deputetët në Kuvend, PD: Keni shkelur rregulloren, të përsëritet votimi

Me debate ka nisur edhe seanca e sotme në parlamentin Shqiptar. Deputeti i Partisë Demokrate Tritan Shehu ka kërkuar rivotim të rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, pasi sipas tij votimi i seancës së kaluar ishte në kundërshtim me rregulloren.

“Rezoluta për Srebrenicën u votua në kundërshtim me rregulloren, votimi duhet të përsëritet. se hidhen në votim amendamentet pastaj teksti final. ne votuam në mënyrë absurde. Është në kundërshtim me rregulloren. Votimi në tërësi bazohet tek amendamentet. Duhet korrigjuar edhe mënyra e votimit që është në kundërshtim me rregullat ku duhet të merret vesh si ka votuar çdo deputet. ne vijojmë diskutimit pasi është votuar. për çfarë vijojnë? Ato duhet të jenë në shërbim të votimit. Para votimit bëhet verifikimi i prezencës, kjo nuk ndodhi. Ndaj duhet votim elektronik. Kërkesa për mocion dhe rezoluta nuk kalon në Komisionin e jashtëm. Është në kundërshtim me rregulloren.

Komisioni i jashtëm nuk e kuptoj pse futet se nuk ka asnjë tagër në këtë çështjes. Merrni iniciativën ti bashkojmë ose ti kalojmë një nga një në Kuvend. Kemi javë të tëra që kemi sjellë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Është mbledhur konferenca e kryetarëve pa thirrur asnjë nga autorët, e asnjërës nga variantet, gjë që ka shkelur rregulloren. Ju kërkoj të rivendosni rregulloren. Nuk është Parlamenti pronë e dikujt që bën si të dojë që urdhëron nga vendi votohet kështu apo ashtu. jemi deputetë e jemi të gjithë njëlloj. Kryetare jeni vetëm ju”, tha ai.

Një përplasje për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në lidhje me gjenocidin serb në Kosovë ka ndodhur edhe mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Alibeaj tha se si anëtar i Konferencës, mund të sigurojë që një takim nuk është mbajtur, ndërsa Nikolla ka thënë se mbledhja është bërë dhe se votimi mund të shihet në procesverbal.

Alibeaj: Është e disata herë që po abuzoni me pozicionin tuaj. Sapo thatë që është vendosur në konferencën e kryetarëve që rezoluta për gjenocidin serb do kalojë për votim. Nuk është diskutuar dhe nuk është vendosur. Nuk ka si të vendoset. Rregullorja e ka të qartë se cilat janë hapat proceduriale. Duhet përcaktuar dita dhe data kur seanca duhet të debatojë.

Rregullorja përcakton edhe faktin tjetër që duhet të ishte ajo data tjetër brenda 274 qershorit. Jeni me shkelje të procedurës por po thoni edhe diçka që nuk është e vërtetë. Duhet për të korrigjuar gabimet e bëra deri më tani por mbi të gjitha për të bërë nderin e duhur lidhur me detyrimin moral që ky kuvend ka.

E kaluam radhës së kaluar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe nuk kalojmë gjenocidin serb në Kosovë. Ju merrni përsipër të thoni gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Seanca jonë duhet të jetë projektrezoluta jonë. Nuk ka rrugë tjetër. Është mundësia juaj e fundit për të korrigjuar këtë vendim”, tha ai.

Nikolla: Ka një vendim të datës 15. Kemi bërë edhe debat. Kanë folur edhe kolegë të opozitës dhe është vendosur. Pro keni votuar të gjithë. Nuk ka pasur kundërshti që ne të vazhdojmë me Komisionin e Politikës së Jashtme.

Deputeti Dashnor Sula u shpreh sot se nuk është normale dhe as morale që të çelet seanca plenare, kur sipas tij në sallë ndodheshin vetëm 49 deputetë. Ai ta se në rastet kur deputetët e opozitës paraqesin problematikat e qytetarëve në seancë, mungojnë anëtarët e qeverisë, përjashtuar ministren Elisa Spiropali.

“Kjo rregullore nuk ka vlerë për këtë parlament, është për të ardhur keq se jemi në muajin e 11 të legjislaturës, dhe sot kemi një seancë të rëndësishme, ku raportojnë 5 institucione të drejtësisë, dhe ta marrin vesh të gjithë qytetarët që jemi në muajin e 7 dhe akoma nuk kemi përfunduar projektrezolutat dhe që nuk është bërë raportimi nga këto institucione, dhe ngelen katër muaj për rekomandimet që kuvendi do japë. Maksimumi ishte muaji mars për të përfunduar rekomandimet, që të ngelnin 9 muaj.

Është pa logjikë e moral, që të çelet seanca pa qenë kuorum i nevojshëm, ishim 49 deputetë dhe u çel seanca nuk është normale kjo. Gjatë këtyre 11 muajve, është mungesë respekti ndaj deputetëve kur diskutohet për pr.ligjet, mungesa e anëtarëve të qeverisë, është prezentë në shumicën e rasteve, përjashtuar zonjën Spiropali.

Kërkoj të marrë fund kjo praktikë, bërja e kuorumit dhe votimi të bëhet në fund të diskutimit”, tha ai.

(Kosova Sot Online)