Inflacioni mbi 14%, Hoti me kritika në drejtim të Qeverisë Kurti

  • G.G /
  • 14 July 2022 - 13:55
Inflacioni mbi 14%, Hoti me kritika në drejtim të Qeverisë Kurti

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur rreth rritjes së çmimeve dhe inflacionit për muajin qershor.

Ai tha se të dhënat nga Administrata e Statistikave të Kosovës tregojnë se inflacioni i këtij qershori, krahasuar me atë të kaluarin është 14 për qind, ndërsa inflacioni për mallrat e importuar shkon në 24 për qind.

“Kjo nënkupton rënie të fuqisë blerëse dhe varfërim të buxhetit të familjeve, por mandej janë edhe pasojat sekondare që janë puna në ndërtimtari e bujqësi që reflektojnë në punësim”, është shprehur Hoti.

Hoti tha se shqetësuese është mungesa e çfarëdo mase nga ana e qeverisë teksa shtoi se në vitin 2019, inflacioni ka qenë 3.4 për qind e VV-ja e kishte shpallur vit të rritjes së çmimeve.

“E vetmja masë për të menaxhuar këtë situatë është caktimi maksimal i naftës. Pavarësisht se kjo është antikushtetuese, prapë propozimi jonë për heqjen e akcizës për naftë do të kishte funksionuar perfekt për caktimin e çmimit maksimal dhe sot do të kishim naftë me rreth 1.30 euro për litër”, tha Hoti, njofton Klankosova.tv.

Ish-kryeministri Hoti shtoi se e sheh të pajustifikueshme nga ana e qeverisë se pse nuk e sjell në kuvend rishikimin e buxhetit, pasi sipas tij, është e nevojshme rishikimi i të hyrave dhe shpenzimeve në kontekst të zhvillimeve të reja fiskale.

(Kosova Sot Online)