Berisha i bashkohet Gashit për ta ngacmuar Kurtin: Ishte në Greqi për bashkimin e trojeve shqiptare

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 13:55
Berisha i bashkohet Gashit për ta ngacmuar Kurtin: Ishte në Greqi për bashkimin e trojeve shqiptare

Kryeministri Albin Kurti u kthye nga Greqia, ku po qëndronte nga 5 korriku. Ai mori pjesë në seancën e sotme të Kuvendit dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e pati një koment menjëherë.

“Qenke rrezitur mirë”, u dëgjua duke i thënë Gashi – Kurtit.

“Ngacmimit” për qëndrimin e Kurtit në shtetin helen iu bashkua edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai tha me ironi se kryeministi shkoi atje për ta zgjeruar projektin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare.

“Unë desha ta falënderoj kryeministrin, por para se ta falënderoj, desha ta bëj një reagim ndaj Z. Arben Gashi, i cili iu drejtua kryeministrit dhe i tha se “qenkeni rrezitur mirë”. Dua t’i them se kryeministri, duke e njohur kursin e tij patriotik dhe atdhetar, nuk ka shkuar për t’u rrezitur, por ka shkuar ta zgjerojë projektin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, prandaj duhet të keni më shumë konsiderat në vlerësim”, tha Berisha.

“Kryeministër mirë se ke ardhë nga një mision i vështirë në tokat e Çamërisë apo të Epirit dhe pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, kryeministër ju faleminderit që po kontribuoni në zgjidhjen e çështjes së çamëve në Greqi”, tha ai.

Pasi tha se kryeministri u angazhua gjatë dhe direkt, Berisha tha se po presin rezultatet e kësaj vizite.

Kur u bë më serioz, Berisha kërkoi që Kurti të raportojë për vizitën në Greqi.

(Kosova Sot Online)