Biden në mes kritikave takohet me princin e kurorës në Arabinë Saudite

  • A.P /
  • 15 July 2022 - 23:00
Biden në mes kritikave takohet me princin e kurorës në Arabinë Saudite

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është përshëndetur nga princi saudit i kurorës me mbërritjen e tij në mbretëri, të cilin ai tha se do ta përjashtonte për shkak të të drejtave të njeriut.

Biden i dha një goditje grushti Mohammed bin Salmanit, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti po përpiqet të shmangë shtrëngimet e duarve për ta mbrojtur vetën nga COVID-19, shkruan BBC.

Ai është përballur me kritika gjatë udhëtimit pas vrasjes së disidentit Jamal Khashoggi nga agjentët sauditë. Por, Biden e ka arsyetuar vizitën e tij, duke thënë se nuk donte të prishte lidhjet.

Ai fluturoi për në mbretëri direkt nga Izraeli – diçka që ishte e ndaluar më parë.

Arabia Saudite, e cila nuk e njeh zyrtarisht Izraelin dhe për dekada udhëhoqi një bojkot rajonal të shtetit hebre, më herët njoftoi se do t’i lejonte “të gjithë transportuesit” të përdorin hapësirën e saj ajrore, që shihet si një gjest pajtues për Biden dhe Izraelin.

Presidenti po synon të zgjerojë integrimin e Izraelit në rajon, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si pjesë e përpjekjeve për të kundërshtuar kërcënimin nga Irani.

Arabia Saudite ka qenë prej kohësh një aleat i rëndësishëm rajonal i ShBA-së, duke shërbyer si furnizuesi kryesor i naftës dhe duke blerë miliarda dollarë armatime amerikane. Megjithatë, lidhjet janë testuar vitet e fundit, me një orientim të ShBA-së drejt Azisë, tërheqjen e forcave dhe aftësive të mbrojtjes ajrore nga Lindja e Mesme dhe prioritizimin e deklaruar të të drejtave të njeriut nga Biden si një plan i politikës së tij të jashtme.

Marrëdhëniet SHBA-Saudite u përballën me sfidën e saj më serioze me vrasjen në vitin 2018 të Jamal Khashoggi, një gazetar me bazë në ShBA, i cili shkroi për Washington Post.

Princi i kurorës Mohammed u akuzua nga agjencitë e inteligjencës amerikane për miratimin e vrasjes, teksa vetë ai i mohoi akuzat dhe prokurorët sauditë fajësuan agjentët “mashtrues” sauditë.

Kur ai po bënte fushatë për presidencën në vitin 2019, Biden u zotua se do ta bënte Arabinë Saudite “fajtore” për vrasjen e Khashoggi.

Shtëpia e Bardhë ka minimizuar takimin e Biden me Princin Mohammed, duke thënë se ai do të takohet gjithashtu me liderë të tjerë arabë kur të marrë pjesë në një konferencë në Jeddah të shtunën.

(Kosova Sot Online)