Prokurorja Bamieh: E përgjova Ilir Tolajn teksa telefononte nga burgu

  • G.G /
  • 16 July 2022 - 13:30
Prokurorja Bamieh: E përgjova Ilir Tolajn teksa telefononte nga burgu

Prokurorja britanike, Maria Bamieh, e cila në fillim të këtij muaji fitoi një proces gjyqësor lidhur me sinjalizimin e rasteve të dyshuara korruptive brenda EULEX-it, është rrëfyer sot në Prishtinë lidhur me këto procese të dyshimta brenda misionit të Bashkimit Evropian.

Bamieh, gjatë një konference për media në Prishtinë, shpjegoi procedurën hetimore që kishte iniciuar ndaj Ilir Tolajt, ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilin tha se e kishte përgjuar me autorizim të gjykatës.

“Unë vazhdova që të kryejë detyrat e mia dhe detyra tjetër ishte që ta ndjek të dyshuarin, zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Ilir Tolaj. Ky rast së pari ishte i ngarkuar tek një prokuror gjerman, i cili e kreu misionin dhe unë e mora rastin”, tregoi Bamieh, raporton Paparaci.

“Unë kam pasur përgjime të ligjshme të cilat përfshinin disa ndërhyrje. Kolegu im gjerman i kishte përgjuar këto telefonata por aty nuk ishte dëgjuar të ishin thënë ato gjëra në ato përgjime, por unë pastaj nga një informator dëgjova se Ilir Tolaj e posedonte një telefon në burg dhe pastaj e mora një urdhëresë të gjykatës për përgjimin e atij telefoni të cilin e posedonte Tolaj”, tha ajo.

Bamieh deklaroi se nga përgjimet zbuloi se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësues të ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nga këto përgjime unë dëgjova se gjyqtari francez po takohej me ndërmjetësuesit e z. Tolaj. Ata ishin takuar në Villa Gërmia me gjyqtarin Francesco Flori dhe prokurores Jaroslava Novotna dhe unë u shkova këtyre përgjimeve në detaje. Ato të gjitha ishin të rëndësishme”, tha ajo.

“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast”, tha Bamieh. “Ata donin nga gjyqtari Flori që t’i garantonte atyre që Tolaj do të lirohej dhe se rasti do të përfundonte”.

Bamieh deklaroi se grupi i Tolajt “kishin një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës dhe ata në këto përgjime, po i referoheshin këtij politikani të fuqishëm si personi nga Kaltrina”.

Pas gati tetë vitesh, ish-prokurorja e EULEX, Maria Bamieh e shkarkuar nga puna në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar pasi sinjalizoi për dyshimet për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë(EULEX), ka rënë dakord për një marrëveshje me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’i marrë 423 mijë funta.

Maria Bamieh, pretendoi se gjatë tetë viteve të fundit se Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.

(Kosova Sot Online)