Çfarë është propozimi francez që i hap rrugën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe RMV-së

  • E.K /
  • 16 July 2022 - 16:03
Çfarë është propozimi francez që i hap rrugën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe RMV-së

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot me 68 vota për propozimin francez që i hap rrugë negociatave për anëtarësim të RMV-së dhe Shqipërisë në BE. Deputetët e opozitës maqedone kanë kundërshtuar propozimin ndërkaq, kryeministri shqiptar Edi Rama i është gëzuar miratimit duke thënë se më s’ka pengesa për rrugën drejt BE-së të këtyre dy shteteve. Liderët e BE-së kanë përshëndetur votimin dhe kanë paralajmëruar se javën e ardhshme hapen formalisht negociatat.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Çka përmban propozimi francez

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.

Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.

Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Liderët e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur votimin e Kuvendit maqedonas në favor të propozimit francez, duke paralajmëruar se në javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin i cili tash shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh drejt të ardhmes suaj, të ardhmes evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ngjashëm ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur vendimin e Shkupit dhe po ashtu ka paralajmëruar se javën e ardhshme Shqipëria do të nisë negociatat e anëtarësimit.

(Kosova Sot Online)