Reka: Rusia po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB

  • E.K /
  • 21 July 2022 - 10:31
Reka: Rusia po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se Rusia po e vazhdon bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke përdorur “argumentin” e fuqisë.

Sipas tij, Moska me veton e saj po shkel unilateralisht të drejtën ndërkombëtare, në një organizatë multilaterale, me mospërfilljen e këtij mendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro legalitetit juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës.

“Nesër bëhen 12 vite nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro legalitetit juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Me 22 korrik 2010, organi kryesor gjyqësor i OKB-së, e konfirmoi atë që dihej botërisht: se shpallja e pavarësisë, nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.

“Konform Kartës së OKB-së dhe Statutit të GJND-s, kjo gjykatë ndërkombëtare interpreton “të drejtën e OKB-së” (Kelsen) dhe asnjë shtet, po qoftë kjo edhe Rusia, nuk ka kompetencë interpretuese të dokumenteve të OKB-së. Mirëpo, Moska me veton e saj, shkel unilateralisht të drejtën ndërkombëtare, në një organizatë multilaterale, me mospërfilljen e këtij mendimi të institucionit më të lartë gjyqësor të organizatës botërore. Edhe pas mendimit të qartë të GJND-së, ajo vazhdon bllokimin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OKB: në mungesë të fuqisë së argumentit, përdor “argumentin” e fuqisë”.

Tutje, ka thënë se përkundër një interpretimi të tillë të pastër juridiko-ndërkombëtar të gjyqësorit të OKB-së, Kremlini vazhdon të shpikë të “drejtën” e vet “ndërkombëtare”, si maskë për fuqinë kundër normës së vërtetë juridiko- ndërkombëtare.

“Asnjë shtet anëtar i OKB-së, pra as Rusia nuk mund të jetë mbi ligjin ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur, e legaliteti i saj juridiko—ndërkombëtar i konfirmuar nga GJND-ja”.

(Kosova Sot Online)