Osmani zbeh rezolutën e Ramës për Dick Martyn: S’ka fuqi juridike, mos prisni përshëndetje speciale për të

  • E.K /
  • 22 July 2022 - 12:33
Osmani zbeh rezolutën e Ramës për Dick Martyn: S’ka fuqi juridike, mos prisni përshëndetje speciale për të

Edi Rama gjatë qëndrimit të fundit në Kosovë ku edhe mori pjesë në përurimin e librit të Enver Hoxhajt, bëri publike nismën e tij për miratimin e një rezolute kundër raportit të Dick Martyt në Kuvendin e Shqipërisë. Një gjë e tillë mori formë dje, ku edhe me shumicë absoulte votash deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e miratuan një Rezolutë të tillë e cila do të dërgohet edhe në Këshillin e Evropës.

Siç ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të kërkohet distancimi i Këshillit të Evropës ndaj raportit të Dick Martyt, meqë ka qenë pikërisht KiE që i ka dhënë jetë pretendimeve të senatorit zviceran.

Për këto zhvillime të djeshme në Shqipëri dhe për mosreagim të krerëve të institucioneve të Kosovës është pyetur sot shefja e shtetit, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media me Ilir Metën.

Osmani ka thënë se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç thekson ajo qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.

“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UCK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja gjithashtu ka thënë se ekziston edhe një parim bazë juridik që një rezoluta apo akt politik ose juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato.

“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi, natyrisht që rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo poashtu ekziston edhe një parim bazik juridik, që një akt, qoftë ajo rezoluta apo akt politik apo juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot që Lufta çlirimtare e Kosovës, Lufta çlirimtare  UÇK-së s’mund të zhbëhet nga askush. Historinë s’mund ta ndryshojë askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh, sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal të udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit janë ende në Serbi për fat të keq, në kontekst të mentalitetit po flas”, ka shtuar tutje Osmani.

(Kosova Sot Online)