VV për bastisjen e NPB-së nga policia: Kësaj duhet t’i gëzohemi të gjithë

  • E.K /
  • 22 July 2022 - 12:44
VV për bastisjen e NPB-së nga policia: Kësaj duhet t’i gëzohemi të gjithë

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një konferencë për media, ka thënë se duhet t’i gëzohet lajmit për bastisjen në Ndërmarrjen Publike Banesore nga Policia e Kosovës për një keqpërdorim të dyshuar.

Ai tha se të kundërtën mund ta bëjnë ata që kanë mundur të jenë të përfshirë, derisa veprimin e policisë e konsideron legjitim.

“Që moti qendra jonë në Prishtinë ka ngritur shqetësimet për projektin afaristo-banesor 120 milionësh te Ndërmarrja Publike Banesore. Madje, ky del të jetë nga ato rastet kur keqpërdorimi nuk luftohet post festum, por hetohet e ndalet në tentativë. Kësaj duhet t’i gëzohemi të gjithë, natyrisht përveç atyre që mund të jenë përfshirë në këtë gjë. Për një kohë të gjatë, korrupsioni në Kosovë jo që nuk është luftuar, por në pjesën më të madhe është përkëdhelë me veprime të dobëta e masa të lehta të gjykatave të Kosovës”.

Rrustemi tha se ky veprim i organeve të rendit për të hetuar deri në fund dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjitha ata që kanë qenë të përfshirë, “apo kanë mundësuar, apo nuk kanë ndaluar keqpërdorimet dhe shkeljet ligjore në rastin e dhënies në shfrytëzim të përhershëm të pronës publike të NPB për ndërtim privat në një zonë profitabile të kryeqytetit”, duhet të përshëndetet dhe të ndihmohet.

Gjithashtu, Rrustemi tha se veprimi i para një viti për t’i dhënë një kompanie private, pronën publike në mënyrë të kundërligjshme e të kurdisur, duhet të marrë përgjigje të vendosur nga sistemi ynë i drejtësisë. Ka qenë e dukshme që individë të ndryshëm kanë qenë të përfshirë në këtë keqpërdorim, duke pretenduar përfitime të mëdha financiare.

“Vetëm disa muaj para se të përfundonte mandatin qeverisja lokale e Prishtinës, në mënyrë të kundërligjshme, të nxituar dhe jotransparente, i kishte hapur rrugë një investimi qartësisht të kontestuar e privat në pronën e paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore”.

Përmes një kontrate të bazuar në një rregullore të brendshme të NPB-së, e cila ishte miratuar vetëm disa ditë para shpalljes për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, Rrustemi tha se dyshohet se është bërë enkas për të aranzhuar këtë projekt.  

“Ndryshimet në NPB kishin shkuar deri në atë masë sa që, pasi që është aprovuar rregullorja, është ndryshuar edhe statuti i NPB-së një muaj pas, pra në janar të vitit 2021. Me një afat prej vetëm tre ditësh kinse për të aplikuar dhe me përzgjedhjen e një kompanie e cila ishte themeluar vetëm disa ditë para shpalljes, kanë qenë indicie se projekti ka qenë i kurdisur dhe kjo ka qenë pikënisja e të gjitha shkeljeve, të denoncuara më pas edhe në polici”.

Rrustemi shtoi se ligji nuk lejon që prona publike të jepet në shfrytëzim të përhershëm.

“Fjala ‘Shfrytëzim i përhershëm’ nuk ka bazë ligjore. Ka shfrytëzim të përkohshëm, por nuk ka shfrytëzim të përhershëm”, ky veprim dukshëm ka përbërë shkelje të rëndë ligjore. Nisur nga të gjitha këto dhe denoncimit në polici, së fundi kemi parë veprimin e organeve të rendit në funksion të hetimeve për vepër penale në një projekt të tillë. Natyrisht se njësia e krimeve të rënda brenda policisë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të bastisur në NPB dhe në Komunën e Prishtinës, në funksion të zbardhjes së të vërtetës”.

Pas ankesës së djeshme nga Ndërmarrja Publike Banesore se ka pasë shkelje ligjore për hyrjen e policisë në zyrat e tyre, deputeti i partisë në pushtet tha se kjo gjë është bërë me urdhër të prokurorisë dhe se s’mund të ketë shkelje në këtë rast.

“Është e ditur se bastisjet kudo nga organet e rendit ndërmerren me urdhër të prokurorisë. Bastisjet as nuk paralajmërohen e as nuk kërkohet leje nga i bastisuri për një veprim të tillë në përputhje me Kodin e Procedurës penale. Në bazë të kodit të procedurës penale, procedura penale fillohet me vendim të prokurorit të shtetit kur ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepër penale, kurse organet publike detyrohen që prokurorit të shtetit, gjykatave dhe organeve të tjera kompetente që marrin pjesë në procedurë penale t’u japin ndihmën e nevojshme, sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me hetimin e veprave penale ose vendndodhjen e kryerësve”.

Rrustemi kritikoi edhe reagimin e NPB-së.

“Në vend se një institucion si komuna të ndërmerrte masa paraprakisht për ta zbardhur rastin, për të penguar shpërdorimin e tjetërsimin e pronës publike, duke i ofruar informacione e mbështetje organeve të drejtësisë, vumë re se në këtë aksion kundër korrupsion, aksionarët e komunës reaguan kundër prokurorisë e policisë e jo kundër shkeljeve e shkelësve”.

(Kosova Sot Online)