Çka pati thënë GjND-ja për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës?
12 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e pati bërë publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhej se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.” Ishte kjo përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: “A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.
Në emër të 15 gjykatësve të GjND-së, kryetari i saj Hisashi Owada pati bërë të ditur se gjykatësit kanë marrë parasysh të gjitha elementet e rëndësishme për këtë proces dhe konstatuan se ky institucion e ka të drejtën që të japë mendimin juridik për çështjen e shtruar.
Në shpjegimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, 12 vjet më parë, Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë dhe pati rikujtuar dokumentet që janë nxjerr lidhur me Kosovën.
Pro pavarësisë votuan shumica e gjykatësve
“GjND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi Owada.
Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 gusht të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marr me një shumicë të bindshme të votave të gjykatësve. 10 gjykatës ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër.
Owada pati shpjeguar gjerësisht edhe mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB.
(Kosova Sot Online)
