Meta: Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë

  • E.K /
  • 23 July 2022 - 10:48
Meta: Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka lavdëruar të arriturat e shtetit të Kosovës, duke thënë se edhe Shqipëria duhet ta ndjekë në disa prej tyre.

Demokracia dhe funksionimin i saj janë ato që Shqipëria duhet t’i mësojë nga Kosova, sipas Metës.

“Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Meta zgjodhi Kosovën për t’i kaluar ditët e tij të fundit si president shqiptar dhe zhvilloi “takime vëllazërore” me udhëheqësit kosovarë.

Një prej tyre ishte edhe ai me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me të cilin tha se foli për disa çështje shtetërore.

“Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon. Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”.

Meta rekomandoi vazhdimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Me rëndësi për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë”.

(Kosova Sot Online)