Lëvizje “tektonike” në më pak se 24 orë në politikën shqiptare

  • E.K /
  • 25 July 2022 - 09:26
Lëvizje “tektonike” në më pak se 24 orë në politikën shqiptare

Lëvizje “tektonike” mund të quhen këto që kanë ndodhur në më pak së 24 orë në politikën shqiptare. Ilir Meta dorëzoi dje Presidencën te pasuesi i tij Bajram Begaj për t’u rikthyer në politikën aktive.

Pas pesë vitesh si kryetar shteti, në një mandat të pazakontë, me përplasje të forta dhe i cilësuar si “president opozitar”, Meta duket se është gati për të marrë drejtimin e LSI.

Mëngjesin e sotëm, në një foto me bashkëshorten, Monika Kryemadhi, të cilës i besoi drejtimin e partisë ai ka shkruar për “shpresë dhe horizont të ri”. Ndërkohë që LSI ka përgatitur terrenin, pasi mban sot Konventën Kombëtare në orën 19:00 dhe pritet që Meta të konfirmohet si kryetar.

Me “shkundje” të forta ka nisur herët kjo e hënë edhe në qeveri. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka shkarkuar Arben Ahmetajn, nga dy postet e rëndësishme që mbante, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Shtetit për Rindërtimin. Ahmetaj, i cilësuar si më i besuari i Edi Ramës, tani mbetet deputet i thjeshtë dhe zëvendësohet nga Belinda Balluku. Kjo e fundit është tashmë numri dy i qeverisë Rama.

Po ashtu, kryeministri ka shkarkuar dhe Zef Mazin si Kryenegociator. Ai do të zëvendësohet nga Majlinda Dhuka, që do të jetë Kryenegociatore dhe Ministre e Shtetit.

Zhvillimet e këtij fund korriku janë të vrullshme dhe duket se shtatori do të jetë më i nxehtë se zakonisht. Gjithçka mbetet për t’u parë.

(Kosova Sot Online)