Deklarata e fortë e Ambasadorit Hill: Serbia duhet t’i kthehet Perëndimit s’ka më opsione tjera

  • E.K /
  • 25 July 2022 - 11:45
Deklarata e fortë e Ambasadorit Hill: Serbia duhet t’i kthehet Perëndimit s’ka më opsione tjera

Serbia e ka veç një mundësi – të kthehet kah perëndimi, ka thënë të hënën ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Gjatë një interviste, ambasadori amerikan e ka vënë në pah faktin që Serbia është i vetmi vend në Evropë që s’ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.

Rusia më 24 shkurt e ka nisur agresionin e saj ndaj Ukrainës. Perëndimi e ka dënuar përpjekjen, madje edhe Serbia e ka mbështetur sovranitetin territorial të Ukrainës, por pa veprime praktike – pra sanksione s’ka vendosur.

“Do të doja të shihja një qeveri që është e aftë t’i kapërcejë këto sfida dhe që dëshiron të shkojë drejt Perëndimit. Është shumë e qartë se populli i Serbisë e zgjodhi këtë”, tha Hill.

Serbia ka pasur kërkesë direkte nga perëndimi për të lëvizur në drejtim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, përkundër kësaj ambasadori amerikan ka thënë se “s’mund të ndërhyë dot në vendimet e qeverive”.

“Unë nuk ndërhyj në zgjedhjet e qeverive, përfaqësoj SHBA-në. Nëse dikush më pyet për mendimin tim, unë them atë që sapo ju thashë, por jo kush duhet të jetë anëtar i qeverisë”, ka thënë ai.

Një përafërim fetar, kulturor e gjeopolitik mes Rusisë e Serbisë është dëshmi historike.

Përkundër kësaj, Serbia është në negociata me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por përballet me një kërkesë – ta njohë Kosovën shtet, e pikërisht Serbia për të mos e zbatuar këtë kërkesë e ka aleat Kremlinin, kundër Kosovës. 

(Kosova Sot Online)