“3,500 paund copa”, mediat britanike nxjerrin zbuluar bandën shqiptare: Pazar në TikTok për pasaporta angleze false “të sofistikuara”

  • E.K /
  • 25 July 2022 - 12:05
“3,500 paund copa”, mediat britanike nxjerrin zbuluar bandën shqiptare: Pazar në TikTok për pasaporta angleze false “të sofistikuara”

Britanikja Mail Online ka nxjerrë zbuluar një grup shqiptarësh që përdorin TikTokun për të ofruar disa shërbime të pazakonta. Më konkretisht ata ofrojnë pasaporta të falsifikuara britanike për 3,500 paund.

Siç ata e reklamojnë veten “ofrojnë super shërbim dhe super shpejt.”

Mail Online shkruan se këto banda përdorin foto të Mbretëreshës dhe të Pallatit të Buckingham-it për të reklamuar në mediat sociale aktivitetin e tyre.

Këto pasaporta përfshijnë chip-e “me cilësi të lartë” që nevojiten për të kaluar kontrollet në kufij. Po ashtu, pasaportat janë të pajisura me “watermarks, holograme dhe tipare sigurie të dukshme vetëm në dritën ultraviolet, që kapet vetëm nga skanerët gjatë kontrolleve në aeroporte.

Agjenti që jeton në Mbretërinë e Bashkuar për një bandë i ofroi një gazetari të infiltruar të Mail Online një pasaportë britanike të falsifikuar për 3,500 £ dhe një pasaportë të BE-së – e cila mund të përdoret gjithashtu për hyrje të paligjshme në vend – për 2,000 £.

Shqiptari shprehet: “Shumë njerëz kanë ardhur në këtë mënyrë, Çfarëdo që ju pëlqen. Ju pëlqen francezja? Britanikja? Italiania?”

Tabloidi britanik ka nxjerrë zbuluar Nikun, të cilin e prezanton si kreun e bandës i cili kishte nxjerrë në TikTok edhe një njoftim ku reklamonte “biznesin.”

“Kush janë të interesuar për pasaporta europiane të përshtatshme për rrugë Anglie, të na kontaktojë,” thuhej në njoftim.

Gazetari i Mail, duke u paraqitur si dikush që shpreson të marrë të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar, kontaktoi shefin e bandës ‘Nik’ me të cili pati një video-telefonatë nga banesa e tij në Shqipëri.

Ai e vuri në kontakt gazetarin e infiltuar me kushëririn e tij, i cili zbuloi se tani jeton në Birmingham pasi mbërriti me një pasaportë false në Britani. Ai më pas tregon se kushëriri i tij në Shqipëri është një operator serioz dhe ka bërë pasaporta false që përmbajnë çipa biometrikë për t’u siguruar që do të kalojnë skanerët e sigurisë.

“Në mini-çip keni të gjitha informacionet – emrin, kombësinë, datën e lindjes, sa i gjatë jeni, mbiemrin,” shpjegon ai.

Po ashtu, ai i dërgon gazetarit edhe një video të kushëririt të tij duke bërë pasaportat. Një tjetër falsifikues reklamon “pasaportat më të reja në treg me të gjitha elementet e sigurisë” përmes një grupi në Telegram.

Postimet përfshijnë një video të një pasaporte të rreme në Mbretërinë e Bashkuar të një gruaje duke u bërë dhe skanuar përmes një kompjuteri, me një titull: “Pasaportë angleze me çipa dhe të dhëna të cilësisë super të lartë që shfaqen në sistem”.

Klienti i bandës shqiptare ndërkohë tregon se pasaporta e tij ishte kontrolluar me kujdes në aeroport, duke përfshirë një skanim kompjuterik, por ‘doli në rregull’.

Sipas asaj që raporton Mail Online, banda reklamonte po ashtu patenta britanike false, viza për në Britani dhe madje mund të prodhonin edhe certifikata lindjeje, martese apo Covid-i. Pas denoncimit, platforma TikTik i ka mbyllur llogaritë në fjalë.

(Kosova Sot Online)