Gypat i zëvendësoi me bateri, çfarë duhet të bëjë Kurti për t’i sjellë ato
Në një nga përplasjet me opozitën gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, kur vendi nisi të përballet me blerjen e energjisë së shtrejtë, Kryeministri Albin Kurti thoshte që s’kanë mundur të blejnë rrymë më herët, pasi ajo nuk mund të konzervohet në frigorifer. Por, më vonë kur qeveria nisi të diskutojë me MCC për gazsjellësin, të cilin Kurti nuk e pranoi, bisedimet shkuan në drejtim të blerjes së pajisjeve ku do të ruhet rryma. Kështu, frigoriferët e Kurtit, dolën të jenë bateri që e ruajnë rrymën, që do të blihen me milionat të cilat amerikanët do t’ia japin Kosovës, Por, për t’i sjellë këtu ka disa procedura.
Tash që Kosova nuk do të vendos “gypa” ( kështu e quante Kurti gazsjellësin gjatë përplasjes me opozitën), dhe pasi amerikanët e kanë aprovuar marrëveshjen kompakt me Kosovën, Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti e Ministrja Rizvanolli, të hënën, u njoftua se udhëtuan në SHBA për ta nënshkruar marrëveshjen.
Ende nuk dihet se kush do ta vë firmën në marrëveshje, por Kurti e Osmani u kritikuan që udhëtuan të dy atje, pasi përvec ministres që me siguri vetëm njëri prej tyre duhet të nënshkruaj, ose asnjëri.
Sidoqfoftë, duket që për 200 milionë dollarët amerikanë ia vlen të fluturohet përtej Atlantikut sidomos kur kjo politikanëve iu nevojitet kur të numëronjë sukseset.
Për Kosovën, një ndër vendet më të varfëra në Evropë, MCC do të financojë 202 milionë dollarë që Kosova t’i përmirësojë punët me rrymën ndërsa Qeverisë i bie që nga kuleta t’i nxjerrë 34 milionë euro – që projekti 236 milionësh dollarësh të finanlizohet.
Por, Kosova do t’i ketë detyrat e saj të përcaktuara prej MCC-së.
Në raport thuhet se Kosova duhet ta ndërtojë një infrastrukturë të gjerë ligjore për t’i dhënë mundësi jetësimit të këtij projekti.
“Kosovës i duhet kompletimi i hapave ligjorë dhe administrativë për përcaktimin e sistemeve të ruajtjes së baterive. Më pas politika energjetike dhe përcaktimi i strukturave potenciale të pronësisë si dhe zbatimi i një programi për klientët vulnerabël për të siguruar që të ardhura më të ulëta të testuara nga mjetet”, thuhet ndër tjerash në raport.
MCC, në njoftimin që është publikuar në faqen e Kongresit Amerikan, ka shkruar saktë reformat specifike që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për t’i marrë bateritë ku “ku konzervohet” rryma.
Reformat specifike që Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë përfshijnë:
Kalimin e ligjeve relevante dhe reformave që do të shtyjnë futjen në treg të gjeneratorëve të pavarur të rrymës së ripërtërishme
kompletimin e hapave ligjorë dhe administrativë për përcaktimin e sistemeve të ruajtjes së baterive në Kosovë
politika energjetike dhe përcaktimi i strukturave potenciale të pronësisë; dhe
Zbatimi e një programi për klientët vulnerabël për t’u siguruar ndihmë financiare që të kenë qasje në energji më të përballueshme
Sipas po këtij raporti mbi 40 për qind e familjeve kanë krizë energjetike.
E kjo gjendje sipas MCC-së ndodhë si shkak i infrastruturës së vjetëruar.
“Opsionet e furnizimit me energji elektrike të Kosovës janë shumë të kufizuara për shkak të kapaciteti të kufizuar të instaluar të energjisë së rinovueshme”, thuhet në raport. “Stabilimentet e vjetruara dhe jo të besueshme të prodhimit të linjitit, mungesa e gjeneratorëve fleksibël, mungesa e furnizimit në vendet fqinje dhe mungesa e ndonjë burimet e gazit natyror ose infrastruktura për të importuar gaz”.
Kur ka të tilla probleme kriza globale energjetike vijnë goditje dhe Kosova e ka përjetuar këtë gjatë këtij dimri.
Gjatë sezonit të dimrit kishte reduktime të vazhdueshme të energjisë elektrike, pas kësaj ka pasuar edhe ngritja e çmimeve të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRre), vendim i kontestuar nga institucionet e drejtësisë në vend.
Raporti i MCC-së, jep edhe detaje tjera. Aty tregohet se Kosova e ka shkallën më të ulët të punësimit të grave, nën 15 për qind. Dhe se papunësia e përgjithshme është mbi 25 për qind, ndërkaq joaktiviteti në treg e kalon 60 për qindëshin.
(Kosova Sot Online)
