Lufta e VV-së me Duda Baljen, Haki Abazi e quan të papërgjegjshme dhe joprofesionale deklaratën e saj

  • E.K /
  • 28 July 2022 - 11:34
Lufta e VV-së me Duda Baljen, Haki Abazi e quan të papërgjegjshme dhe joprofesionale deklaratën e saj

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar pasi iu përmend emri në Komisionin Hetimor për Energjinë, ku u kërkua shkarkimi i deputetes Duda Balje.

Balje e përmendi Abazin gjatë mbledhjes së këtij komisioni, e Abazi i ka cilësuar këto deklarata si të papërgjeshme dhe aspak profesionale.

Ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga komisioni para se të mbahet takimi konstituiv.

“Sqarim: meqë më është përmendur emri në takimin e Komisionit parlamentar hetimor për energji për periudhën 2006-2022, unë kam dhënë dorëheqje para se të mbahet takimi konstituiv i komisionit. Deklarata se kam munguar tre herë është e papërgjegjshme dhe aspak profesionale”, ka shkruar Abazi.

Ndërkohë, Balje ka thënë se Vetëvendosje po do ta shkarkojë për ta gjetur një deputet tjetër që do të votonte sikur partia në pushtet.

“Haki Abazi ka dhënë dorëheqje dhe jam shumë e sigurt se Vetëvendosja po do të më zëvendësojë mua me dikë tjetër prej grupit parlamentar multietnik, me ndonjë deputet që ndoshta është më shumë i disiplinuar. Unë sot iu kam thënë, nëse dëshironi një deputet që voton 100 për qind, siç ju doni, thuajeni, unë vetë jap dorëheqje. Në këtë mënyrë është një sjellje shumë e keqe, nuk u ndjeva mirë, sepse ne jemi koalicion dhe duhet të respektojmë njëri-tjetrin”, tha Balje.

Ndryshe, takimi i djeshëm i Komisionit Hetimor për Energji është karakterizuar nga përplasjet, me nënkryetarin e këtij Komisioni, Armend Muja, i cili ka propozuar perjashtimin nga komisioni të deputetes Duda Balje dhe deputetit Ljubinko Karaxhiq.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes Balje, e cila kërkesën e Mujës e cilësoi si politik dhe hakmarrje ndaj saj nga ana e partisë në pushtet.

“Partia në pushtet po dëshiron të më largojë nga Komisioni, pasi që nuk po i bindem kërkesave të tyre për të votuar në Kuvend”, tha Balje.

(Kosova Sot Online)