Ky është mërgimtari që vdiq në aksidentin tragjik në Podujevë

  • E.K /
  • 29 July 2022 - 11:10
Ky është mërgimtari që vdiq në aksidentin tragjik në Podujevë

Mediat lokale kanë zbuluar identitetin dhe kanë publikuar fotografinë e njërit prej personave që vdiq në aksidentin tragjik që ndodhi sot mes një veture dhe autobusi në Podujevë. Sipas raportimeve, mërgimtari që vdiq është Shemsedin Sopaj nga fshati Jançishtë i Komunës së Malishevës.

Në këtë aksident vdiq edhe një grua e moshës 35-vjeçare, identiteti i së cilës s’është bërë i ditur ende.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Për rastin është deklaruar  edhe Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Ai ka thënë se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë.  Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati.

(Kosova Sot Online)