Si erdhi takimi me Blinken dhe çka me dialogun pas Washingtonit? Flasin Serwer, Peci e Çollaku

  • E.K /
  • 29 July 2022 - 11:18
Si erdhi takimi me Blinken dhe çka me dialogun pas Washingtonit? Flasin Serwer, Peci e Çollaku

Procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ka qenë një prej temave kryesore në takimin në mes të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti me numrin një të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken. Një takim i tillë në Washington u tha se hoqi nga diskursi publik temën e shumë diskutuar se a do ta presin Kurtin zyrtarë të lartë në Washington dhe pati udhëzime që tashmë të vendoset llupa në atë se çfarë do të pasojë pas këtij takimi dhe çfarë rruge do të ndjekë Kurti në procesin e dialogut me Serbinë.

Por, si duhet të shkohet tutje me negociatat dhe çfarë duhet të bëjë numri një i Qeverisë? Lidhur me këtë  kanë folur njohës të procesit të dialogut.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, në një përgjigje për  Express thotë se bashkëkombasit e tij e dinë mirë se udhëheqësi i serbëve nuk ka gatishmëri për ta njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj rekomandon që të ecet me zgjidhje për çështje specifike, sidomos për personat e zhdukur.

“Mendoj se ky [dialogu] ishte një shqetësim i SHBA-së: arritja e marrëveshjes, pastaj përfundimi i dialogut me njohje reciproke. Por, unë mendoj se amerikanët e dinë se presidenti serb Vuçiq nuk është ende gati për njohje reciproke. Kështu që, më mirë është të vazhdohet të ketë përparim në dialog për çështje specifike, veçanërisht për personat e zhdukur”, tha ai.

Si duhet t’i qaset dialogut Qeveria Kurti tash e tutje, sipas profesorit të John Hopkins?

Amerikani thotë e nuk e sheh të arsyeshme që të përjashtohet diskutimi për Asociacionin, derisa thekson se nuk mendon që Serbia është e gatshme të marrë vendime të arsyeshme, pra që krijimi i Asociacionit do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe ofrim të një asociacioni reciprok të komunave shqiptare në Serbi.

“Mendoj se rruga për të vazhduar është që të vazhdohet. Nuk e shoh të arsyeshme që të përjashtohet diskutimi, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, unë gjithashtu nuk mendoj se Serbia është e gatshme të ndërmarrë hapa të arsyeshëm: krijimin e Asociacionit që do të njohë qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke ofruar një Asociacion reciprok të komunave shqiptare brenda Serbisë, me të njëjtin status dhe kompetenca. Do të doja ta shoh Kosovës që ngre çështjen e kufizimeve për të krahasuar me ato që janë në Kosovë për forcat e sigurisë në komunat me shumicë shqiptare”, ka thënë Serwer.

I pyetur për takimin në Washington me Blinken, Serwer ka thënë se arritja e marrëveshjes për energjinë me Serbinë ka të ngjarë që t’i ketë hapur rrugën takimit në Departamentin amerikan të Shtetit, por megjithatë ai thotë se përgjigjen e saktë për këtë e ka vetë ky institucion.

Derisa analisti kosovar Lulzim Peci ka thënë se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti është dashur që të kërkojnë një emisar special të SHBA-së për dialogun.

“Mendoj se Osmani dhe Kurti është dashur që të kërkojnë një të deleguar të posaçëm të Presidentit të SHBA-së për dialogun me Serbinë, për të krijuar parakushtet për përfundim të suksesshëm të dialogut dhe për të arritur njohjen nga katër vendet e NATO-s, gjegjësisht pesë vendet e BE-së. Mendoj se pa angazhimin amerikan në këtë nivel, vështirë se do të arrihet marrëveshja me Serbinë brenda një kohe optimale”, ka thënë Peci.

Peci mendon që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për të ndërtuar konsensus politik dhe të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare dhe se këtë duhet ta bëjë duke qenë e hapur për kompromis me Serbinë, por pa bërë koncesione me interesat ekzistenciale dhe vitale të vendit.

“Mendoj se Qeveria tanimë ka treguar se ka kapacitet për kompromis, pasi atë tanimë e ka bërë me marrëveshjen për energji dhe targa. Po ashtu, mendoj se Qeveria duhet të hapë kuletën e shtetit për të angazhuar ekspertë ndërkombëtarë me ekspertizë të lartë për çështjet që ndërlidhen për dialogun dhe atë sidomos për çështjet e komuniteteve joshumicë, kishës ortodokse, sigurisë dhe mbrojtjes dhe aspekteve që kanë të bëjnë me trashëgiminë e borxheve ndërkombëtare dhe kontesteve bilaterale ekonomike, si dhe për çështjet e demarkacionit të kufirit, pasi kjo është një çështje e rëndësisë madhore për vendin”.

Përveç dialogut me Serbinë, Peci përkrah edhe një synim që e kishte Kurti para se të vinte në pushtet – dialogun e brendshëm me qytetarët serbë të Kosovës. Por, përveç kësaj, Kosova duhet t’i ndërmarrë edhe disa veprime që po i kërkojnë serbët.

“Qeveria duhet sa më shpejt që ta implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, që do të krijonte një moment të rëndësishëm për ndërtimin e besimit me këtë komunitet, për të cilin kisha ortodokse ka një rëndësi shumë të madhe dhe kjo është e ndërlidhur edhe me vetë procesin e dialogut”, ka thënë ai.

Sa i përket qasjes në negociata, Peci thotë se veçse ka ndryshim dhe pikërisht këtë e sheh si hapje të rrugës drejt takimit të Osmanit e Kurtit me Blinkenin, për të cilin tha se iu rikonfirmua qëndrimi amerikan për përfundimin e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe përkrahje të rrugëtimit të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike.  

“Mendoj se ndryshimi i qasjes në dialog nga Qeveria e Kosovës ka qenë vendimtare për mundësimin e këtij takimi dhe ky ishte një akt vlerësimi. Ne nuk duhet harruar se disa letra deri më tani kanë arritur nga Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken që kanë kërkuar nga Kosova që të jetë e angazhuar seriozisht në dialogun me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për energjinë dhe personat e pagjetur, të cilave Sekretari Blinken iu referohet specifikisht në letrën e tij të 13 janarit 2022 drejtuar Kryeministrit Kurti. Imazhi i Qeverisë Kurti në Bruksel dhe Ëashington tanimë ka pësuar një ndryshim te ndjeshëm pozitiv, pasi ajo ka treguar se ka gatishmëri për të arritur marrëveshje e kompromis dhe tani topi është duke dalë në terrenin e Serbisë, e cila e ka shfrytëzuar deri më tani retoriken e Kosovës për t’i krijuar avantazhe vetes”, tha Peci.

Derisa ish-ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, thotë se meqë SHBA dëshiron që ta shohë Kosovën e anëtarësuar në organizatat më të rëndësishme i përçon këto mesazhe të forta që të kryejë punë me Serbinë.

“SHBA-ja do që ta shohë Kosovën si një shtet të konsoliduar dhe me perspektivë të qartë euroatlantike. Në kontekst të tillë dhe në shërbim të këtij qëllimi, përmbyllja e dialogut me Serbinë me një marrëveshje përfundimtare ligjore obliguese, konsiderohet jetike për SHBA-në në mënyrë që Kosovës t’i hiqen pengesat drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Prandaj, nuk ka asnjë dyshim që mesazhi kryesor edhe nga Sekretari Blinken ka qenë i ndërlidhur me nevojën për të shënuar progres përmbajtjesor në dialog”, ka thënë Çollaku.

Ndonëse takimin e Osmanit e Kurtit me Blinkenin e sheh me rëndësi jetike për Kosovën, Çollaku u tregua kritikues për praktikën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut.

“Kjo varet shumë nga fakti se a ka filluar kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij që t’i marrin seriozisht dhe respektojnë këshillat e partnerëve tanë amerikanë. Ajo çfarë kemi parë deri më sot nga Qeveria Kurti, në kuadër të strategjisë dhe taktikave të përdorura në dialog, ka qenë zhgënjyese për të gjithë. Tani mbetet të presim e të shohim nëse Qeveria do ta ketë dijen dhe guximin për të zhvilluar dialog për marrëveshje përfundimtare apo thjesht do të vazhdojë me praktikën e deritanishme të riciklimit të marrëveshjeve teknike me qëllimin e vetëm për ta ruajtur status quo-në”, ka thënë Çollaku.

(Kosova Sot Online)