FBI përfshihet në hetimet për të kapur hakerët që thyen sistemet qeveritare në Shqipëri

  • A.P /
  • 29 July 2022 - 21:04
FBI përfshihet në hetimet për të kapur hakerët që thyen sistemet qeveritare në Shqipëri

Në hetimet për sulmin kibernetik që goditi sistemet qeveritare të informacionit në Shqipëri, dy javë më parë, është përfshirë dhe FBI-ja amerikane.

Këtë e pohoi sot zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj, në një deklaratë për shtyp lidhur me sulmin, në prani dhe të një eksperti të Microsoft-it. “Po bëhet një hetim i thelluar i plotë, jo vetëm nga Microsoft DART (Skuadra e sigurisë kibernetike), por edhe nga organet tona përgjegjëse që bashkë me ne po punojnë ngushtësisht me FBI-në”, tha zonja Karçanaj

Drejtoresha e AKSHI deklaroi se nga 1225 shërbime elektronike që ofrohen përmes sistemit “e-albania”, vetëm 23 prej tyre nuk janë ende funksionalë. “Të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to”, shpjegoi zonja Karçanaj.

(Kosova Sot Online)