“Nuk ka dorëzim”, shfaqen pankarta në veri kundër vendimit për targa dhe dokumente

  • E.K /
  • 30 July 2022 - 17:24
“Nuk ka dorëzim”, shfaqen pankarta në veri kundër vendimit për targa dhe dokumente

Në veri të Kosovës, dy ditë para nisjes së zbatimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa me emra të qyteteve të Kosovës dhe lëshimit të një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit serbë, u shfaqën disa pankarta dhe fletushka me mesazhin: “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimet serbe do të mbeten”.

Po ashtu, harta e Kosovës, e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit serb është parë në veri të Kosovës dhe mbi të është shkruar “jo dorëzim”, për të kundërshtuar vendimin e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, për shtetasit e Serbisë, që hyjnë në territorin e Kosovës.

Kosova ka thënë se një dokument të tillë, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës që 11 vjet.

Paraprakisht, më 13 korrik, në Mitrovicën e Veriut, në targat RKS (Republika e Kosovës) u mbuluan me letra ngjitëse me targat KM – që lëshohen nga Serbia – dhe me stemën e Serbisë, ndërsa disa ditë më pas, nëpër makina u panë fletushkat me mesazhin “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Kosova i konsideron të jashtëligjshme targat me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti./REL/

(Kosova Sot Online)