Zhvillimet në veri, Rama: Unë e mbështes Qeverinë e Kosovës, e përgëzoj kryeministrin Kurti

  • E.K /
  • 01 August 2022 - 11:50
Zhvillimet në veri, Rama: Unë e mbështes Qeverinë e Kosovës, e përgëzoj kryeministrin Kurti

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin spanjoll, Edi Rama nga Tirana ka folur për zhvillimet e mbrëmshme në veri të Kosovës. Ai thotë se përkrah Qeverinë e Kosovës, e cila mori vendim për të zbatuar reciprocitetin për dokumentet. Beogradit i kërkoi të mos i justifikoj veprimet e “disa grupeve” në veri.

Derisa kryeministri spanjoll deklarohej edhe njëherë kundër pavarësisë së Kosovës, Rama iu përgjigj për këtë dhe për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

“Ju jeni të të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme, unë ju them se e kundërta është e vërtetë. Ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Sebrisë në Bruksel nuk është një e drejtë, por është një detyrë e institucioneve të Kosovës”, tha Rama.

Qeveria e Kosovës mori vendim që, nga një gushti, të gjithë shtetasit serbë që do të hynin në Kosovë, do të pajiseshin me një dokument “hyrje/dalje”, njësoj sic ndodh me shtetasit kosovarë kur hyjnë në Serbi.

Rama i jep të drejtë Kosovës në zbatimin e kësaj, që buron prej një nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Kryeministri i Shqipërisë ka përgëzuar kryeministrin Kurti, që vendosi ta përfill kërkesen e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për ta pezulluar vendimin e reciprocitetit për një muaj.

“Unë mbështes qeverinë e Kosovës dhe i mbështes autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Nuk kam asnjë dilemë për këtë. E përgëzoj kryeministrin e Kosovës për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen por për ti dhënë kohës për tu sqaruar dhe kur marrëveshja të hyjë në fuqi mos ketë probleme”, u përgjigj Rama.

(Kosova Sot Online)