Kurti: Vuçiq e anuloi takimin e planifikuar në Bruksel ndoshta për të përgatitur këtë që ndodhi dje

  • E.K /
  • 01 August 2022 - 13:53
Kurti: Vuçiq e anuloi takimin e planifikuar në Bruksel ndoshta për të përgatitur këtë që ndodhi dje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është përgjigjur nëse dihet ndonjë datë për një takim të mundshëm më presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në një konferencë për media ku foli kryesisht për situatën në veri, kryeministri Kurti tha se akoma nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Borrell dhe nëse ndodh kjo do ta bëjë publike.

Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që kurdo që të marrë ftesë nga Borrell të paraqitet në Bruksel.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik. Por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik dhe e shtynë këtë takim për fund të gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, do të shkojë në Bruksel”, tha Kurti në konferencë për media.

“Një ftesë të tillë nuk e kemi, në momentin që do ta kemi sigurisht se do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndirmin tonë, jemi për dialog të përgatitur mirë drejt një marrëveshje të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me njohje reciproke”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)