BILD: Krisma në Kosovë! A po provokon Putin një luftë në Ballkan?

  • G.G /
  • 02 August 2022 - 09:23
BILD: Krisma në Kosovë! A po provokon Putin një luftë në Ballkan?

Nga Julian Roepcke, BILD

A po fillon Putini një luftë të re në mes të Europës?

Fakti që ka tensione mes Serbisë dhe Kosovës nuk është diçka e re. Ajo që është e re, megjithatë, është agresiviteti me të cilin Beogradi po ndjek fantazitë e tij për zhdukjen e ish-provincës së tyre.

Të dielën në mbrëmje pati shkëmbim zjarri mes policëve kosovarë dhe grupeve të armatosura përgjatë kufirit me Serbinë. Menjëherë pas kësaj, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në gjysmën veriore të Mitrovicës, të dominuar nga serbët. Kambanat ranë edhe në kishat serbe të kësaj zone.

Disa orë më herët, një anëtar i partisë në pushtet të Serbisë njoftoi se Serbia ishte e ‘detyruar që të fillonte denazifikimin e Ballkanit’. Ky është pikërisht argumenti që Rusia parashtroi në shkurt për të justifikuar sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Ministria e Jashtme ruse vazhdoi edhe në mbrëmje. Në një deklaratë të saj, thuhet se përplasjet janë ‘një hap larg dëbimit të popullatës serbe nga Kosova’.

Përsëri një paralele me Ukrainën. Edhe atje pretendohet se qeveria ukrainase kërkon të dëbojë në lindje të vendit personat me origjinë ruse. Sipas Moskës, fajtorë për të shtënat në Kosovë janë vetëm Bashkimi Europian dhe NATO.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u betua para vendit të tij në mbrëmje për një luftë të mundshme kundër Kosovës. “Kriza po thellohet, serbët nuk do të tolerojnë më mizori. Ne nuk duam luftë, por nëse kjo vazhdon, Serbia do të fitojë,” tha Vuçiç në një fjalim urgjent para kombit në televizionin shtetëror.

Problemi është se në Kosovë janë të stacionuar pothuajse 4 mijë ushtarë të NATO-s, duke përfshirë 400 nga Gjermania. Një luftë serbe kundër qeverisë në Prishtinë do të ishte e barabartë me një luftë serbe kundër NATO-s- dhe në këtë mënyrë me një konflikt të madh ushtarak në mes të Europës.

Pikërisht ajo që Putini do të dëshironte për të hequr vëmendjen nga mizoritë e tij në Ukrainë dhe për t’i bërë europianët edhe më të lodhur nga lufta.

Megjithatë të hënën në mëngjes pati shenja relaksimi pasi qeveria e Kosovës njoftoi se do të shtyjë për një muaj një rregullore për targat serbe gjatë kalimit të kufirit.

(Kosova Sot Online)