Rasti tronditës i trafikimit të 23-vjeçares, kërkohet paraburgimi i 50-vjeçarit të dyshuar

  • G.G /
  • 02 August 2022 - 11:09
Rasti tronditës i trafikimit të 23-vjeçares, kërkohet paraburgimi i 50-vjeçarit të dyshuar

Prokuroria Themelore në Gjilan e ka konfirmuar rastin tronditës të trafikimit për shërbime seksuale të një 23-vjeçareje për të cilin Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht. I dyshuar për këtë rast është 50-vjeçari Vedat Ademi, i cili po dyshohet se e ka shfrytëzuar viktimën me probleme mendore, duke i siguruar klientë për seks, në këmbim të parave.

Ai është ndaluar për 48 orë dhe së shpejti pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë. Kështu kanë bërë të ditur nga Prokuroria në një përgjigje me shkrim për Sinjalin.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit- Prokuroria Themelore ne Gjilan, me datë 01.08.2022 është ndaluar për 48 orë, një person V.A, për shkak të veprës penale Trafikimi me Njerëz nga neni 165  të KPRK-së dhe brenda afatit ligjor do të ushtroj Kërkesën për Caktimin e Paraburgimit, e cila do të dorëzohet ne Gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.”, thuhet në përgjigje.

Ademi po dyshohet se e ka shfrytëzuar vajzën me probleme mendore, të cilën e ka trafikuar për shërbime seksuale për një kohë të gjatë.

Gjithçka dyshohet se kishte nisur me joshje, ashtu që i dyshuari fillimisht kishte krijuar një lidhje dashurie me të, me premtimin se do të martohej me vajzën. Përmes këtij premtimi të rremë, ai e ka trafikuar viktimën, duke i siguruar klientë të cilëve ajo iu ka ofruar shërbime seksuale, në këmbim të pagesës, të cilën e ka marrë i dyshuari.

Ky rast i rëndë ka tronditur familjen e vajzës, të cilët tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre në Polici, ndërkohë që i dyshuari është përballur me dyshimet që rëndojnë mbi të.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në 12 vjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)