Kurti thumbon Edi Ramën, “e themelon” Ballkonin e Hapur, i bën anëtarë diasporën

  • G.G /
  • 03 August 2022 - 11:43
Kurti thumbon Edi Ramën, “e themelon” Ballkonin e Hapur, i bën anëtarë diasporën

Një natë vere, me mbështetësit e tij më të flaktë, në ballkonin e Kryeministrisë, Albin Kurti e konsideroi moment të mirë për ta gjuajtur një shtizë kah Shqipëria, në drejtim të homologut të tij në Tiranë, Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndoshta kënaqen e qeshin shumë kur takohen – siç tha ky i fundit në vizitën e fundit në Prishtinë – por nga larg jo rrallë herë ia drejtojnë shigjetat njëri-tjetrit.

Kur erdhi në Kosovë në qershor për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Rama tha se njerëzit do të habiteshin po t’i shinin se si qeshin me Kurtin kur takohen.

Rama thoshte se e auto-ironia që e përdorin të dy, i bashkon ata.

Por, homologu i tij në Prishtinë, Kurti, të martën mbrëma nga ballkoni i Kryeministrisë u tall me të për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Në një ndejë me mërgimtarë, kryeministri i Kosovës shpalli iniciativën e “Ballkonit të Hapur”.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur””, citohet të ketë thënë Kurti.

Përplasjet e para publike mes Ramës dhe Kurtit nisën pikërisht me Mini-Schengenin apo Ballkanin e Hapur, siç u quajt më vonë. Kjo nismë u kundërshtua që në fill nga Kurti, e Rama shprehu jo pak neveri çdoherë kur nga Kosova i thuhej se kjo s’ishte në interesin e vendit.

Deklaratat e Ramës ku bën thirrje për pajtim dhe që “të mos mbesim peng të së kaluarës” janë bërë të zakonshme kohët e fundit. Ato me siguri se s’i kanë pëlqyer aspak Kurtit, i cili e thekson kudo që mundet se Serbia nuk është distancuar nga e kaluara dhe se për çfarë krimesh në Ballkan është përgjegjëse ajo.

Secili nga ta argumenton se tjetri e ka gabim çdoherë kur gazetarët i pyesin për çështjet për të cilat nuk pajtohen.

“Me Albinin e kemi një marrëdhënie që është e kahershme dhe do të jetë e tillë gjithmonë. Juve ju duket si shaka, por kjo është e vërteta. Ne jemi njëkohësisht njerëz me bindje të forta dhe sa herë të shikosh njerëz me bindje të forta që kanë dakordësi për çdo gjë, do të thotë se atyre o u janë dobësuar bindjet, o s’i kanë pasur ndonjëherë të forta”, kishte thënë Rama në Prishtinë, në konferencën e përbashkët me Kurtin.

“Po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve dhe të auto-ironisë që na bashkon reciprokisht, mbase do habiteni e pastaj do të thoni ‘jo mor vëlla ky s’qenka vëllai i Vuçiqit, ky qenka vëllai i Albinit’. Kështu që më lëni të rri vëllai i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”, kishte shtuar kryeministri shqiptar.

Gjuajtjet me deklarata mes të dyve nuk janë gjë e panjohur.

Vitin e kaluar, Rama u bë edhe kundërshtar politik i Kurtit, kur ky i fundit vendosi që me partinë e tij të merrte pjesë në zgjedhje atje. Shkoi edhe vetë për t’i bindur shqiptarët se sa e dobët e e korruptuar ishte qeverisja e Ramës. Vetëvendosjen e tij e paraqiste si shpëtimin për njerëzit që në shumicë e kishin votuar Ramën për kryeministër. Fushata përfshiu edhe udhëtimin e ministrave të Kosovës drejt Tiranës, për t’i mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes.

Në Prishtinë, ku erdhi në shtator të vitit të kaluar, Rama e lëshoi një thumb për Kurtin.

Në fund të një bashkëbisedimi që e pati me studentë të Universitetit të Prishtinës, i pyetur se përse s’ka në kabinetin “Rama 3”, ministra nga Kosova, Rama u shpreh se këtë mandat do të bëhej vetë kosovar duke nënkuptuar marrjen e nënshtetësisë. Por “nuk do të vij të bëj fushatë për vota këtu. Mos të ketë frikë asnjeri. As nuk do të vij të votoj këtu” tha më tej.

(Kosova Sot Online)